Dueli Kerasan Prishtina – Golden Eagle Ylli e hap stinorin pranveror në IP Superligën e Kosovës

  • Dueli Kerasan Prishtina – Golden Eagle Ylli e hap stinorin pranveror në IP Superligën e Kosovës
12 January 2018

Të shtunën me përballjen ndërmjet Kerasan Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit që do të zhvillohet me fillim nga ora 15:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë do të startoj stinori pranveror në IP Superligën e Kosovës në basketboll.

Ndërkaq në kuadër të xhiros së XV të IP Superligës së Kosovës të shtunën në program është edhe një duel ai në mes Sigal Prishtinës dhe Bashkimit që do të luhet në kryeqytet duke filluar nga ora 19:00.

Të dielën Trepça është nikoqire e Pejës, takim ky që do të zhvillohet nga ora 19:00, kurse të hënën në program është dueli në mes Borea-s dhe Rahovecit me fillim nga ora 19:30 në “Karagaçi” të Pejës.

Duhet theksuar se të gjitha skuadrat e IP Superligës së Kosovës kanë bërë ndryshime, derisa përbërjet përfundimtare do të dihen sot, kur edhe përfundon afati kalimtar dimëror, i cili ka filluar më 8 janar.