Kosova U16 rrezikon të mos marrë pjesë në FIBA U16 Kampionatin Evropian, Divizioni B, Bosnja e Hercegovina nuk po e jep dritën e gjelbër për viza

  • Kosova U16 rrezikon të mos marrë pjesë në FIBA U16 Kampionatin Evropian, Divizioni B, Bosnja e Hercegovina nuk po e jep dritën e gjelbër për viza
8 August 2018

Përfaqësuesja U16 e Kosovës (Meshkujt) rrezikon të mos marrë pjesë në FIBA U16 Kampionatin Evropian, Divizioni B që do të mbahet prej 9 deri më 18 gusht në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës.

Arsyeja e dështimit të pjesëmarrjes së Kosovës U16 në këtë Evropian është mosdhënia e vizave nga shteti i Bosnje e Hercegovinës për Përfaqësuesen tonë.

Një gjë të tillë për faqen zyrtare të FBK-së e ka bërë të ditur Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme:

“Pavarësisht se i kemi dërguar me kohë të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga Federata e Basketbollit të Bosnje e Hercegovinës, ne vetëm të martën e kemi marr dritën e gjelbër për të shkuar për të aplikuar në Ambasadën e Bosnje e Hercegovinës në Shkup dhe atë pas informatës që ne ia kemi dhënë FIBA-s se gjërat nuk janë duke shkuar sipas planit të paraparë dhe FIBA ka filluar të bëjë presion tek Federata dhe tek Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjë dhe Hercegovinës. Stafi i FBK-së tash e dy ditë është duke qëndruar në Ambasadën në Shkup, por vizat ende nuk i kemi marrë. Ne është dashur mbrëmë të nisemi për në Sarajevë, por jemi detyruar, në mungesë të vizave, që nisjen ta shtyjmë për sot në ora 12:00, sepse kemi pasur garanci se vizat do lëshoheshin sot në ora 8.30. Sidoqoftë, deri më tani nuk ka asgjë të re në këtë drejtim. Trajnerët, lojtarët dhe stafi përcjellës të gjithë janë në zyre të FBK-së duke pritur lajmin nga ambasada boshnjake.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe unë personalisht jemi në kontakt të vazhdueshëm me FIBA Evropën, Ambadasën në Shkup, Federatën e Bosnje e Hercegovinës.

FIBA është shumë e indinjuar me gjithë këtë që po ndodhë, e vetëdijshme se të gjitha kërkesat ligjore për lëshimin e vizave janë përmbushur dhe se vendimi është puro politik. Sidoqoftë ne jemi edhe më të indinjuar dhe dëshpëruar, pasi që kjo nuk ka të bëjë asgjë me sport, e gjithë kjo është politikë. Është e papranueshme, sepse Kosova U16 sot është dashur të zhvillojë stërvitjen e parë në Sarajevë, ndërsa nesër pasdite të luaj ndeshjen e parë kundër Bosnje e Hercegovinës. Djemtë dhe stafi janë duke u përgatitur për muaj të tërë për pjesëmarrje në këtë garë, prandaj dëshpërimi tek ta është edhe më i theksuar.

Ne para disa javës në Kosovë i kishim disa ekipe pjesëmarrëse në FIBA U18 Kampionatin Evropian U18, të cilat autoritetet tona i pajisën me viza, në bashkëpunim me federatën tonë, e kësisoj ua mundësuan pjesëmarrjen në garën sportive.

FIBA na ka informuar se brenda orëve të ardhshme do të dihet përfundimisht se a do të mund Kosova U16 të udhëtojë në Sarajevë apo jo”.