Dueli, Kozuv-Peja do të vendos për ekipin e fundit në TOP 4 të Ligës Ballkanike

  • Dueli, Kozuv-Peja do të vendos për ekipin e fundit në TOP 4 të Ligës Ballkanike
15 Mars 2017

Kozuv-i e pret sot Pejën në Gjevgjeli të Maqedonisë në ndeshjen e fundit çerekfinale të Sigal Uniqa Ligës Ballkanike (BIBL). Ky takim do të zhvillohet me fillim nga ora 19:00.

Peja ka avantazh prej 17 pikëve nga dueli i parë i luajtur në "Karagaçi" para një jave dhe për këtë arsye është në pozitë më të mirë për në ndeshjen e sotme. Megjithatë nuk ka asnjë dyshim që Kozuv-i do të përpiqet të shkrijë këtë epërsi dhe të vazhdoj tutje në këtë garë.

Nikoqirët do të llogarisin në formën e mirë të treshes, McNeail, Mijoviq dhe Hall, që ishin edhe bartësit e lojës gjatë këtij edicioni të skuadrës maqedonase. Mirëpo është më se e qartë se për të shkrirë këtë avantazh Kozuv-i ka nevojë për forcën e gjithë ekipit.

Në anën tjetër Peja hyn në këtë duel me avantazh të thellë, por është më se e qartë se verdhezinjtë në këtë takim duhet të angazhohen 100% nëse mendojnë për kualifikim tutje në Ligën Ballkanike.

Kryetrajneri Todorov e di shumë mirë se lojtarët e tij nuk guxojnë të relaksohen dhe për këtë arsye do t'i përgatis ata që të hyjnë me mendje se gjithçka fillon nga zero. Abramovic tashmë e ka dëshmuar se është në formë të mirë dhe se do të jetë armë e fortë e Pejës, derisa për paraqitje të mirë të ekipit verdhezi pritet të përkujdesen edhe Rundles, Veseli, Dahlman dhe Billie.