Dushku: FBK, shembull në avancimin e femrës në sport

  • Dushku: FBK, shembull në avancimin e femrës në sport
  • Dushku: FBK, shembull në avancimin e femrës në sport
  • Dushku: FBK, shembull në avancimin e femrës në sport
  • Dushku: FBK, shembull në avancimin e femrës në sport
  • Dushku: FBK, shembull në avancimin e femrës në sport
9 Tetor 2019

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku dhe menaxherja e zyres ekzekutive të FBK-së, Artina Hasani të mërkurën morën pjesë në Konferencën "Barazia Gjinore dhe Diversiteti" të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dhe Solidariteti Olimpik.

Konferenca u organizua në ambientet e hotel "Swiss Diamond" në Prishtinë, ndërsa morën pjesë zyrtarët më të lartë të KOK-ut, Departamentit të Sporteve të Kosovës, udhëheqës të Federatave Sportive në Kosovë, zyrtarë të Drejtorive të Sportit të Komunave, si dhe përfaqësues të mediave në vendin tonë.

Po ashtu KOK-u, në këtë Konferencë kishte ftuar një mysafire speciale, në cilësinë e ligjerueses. Bëhet fjalë për Graziella Thake nga Australia, e cila është edhe drejtoreshë dhe themeluese e organizatës Optimsation Hub. Ajo ligjëroi në temën "Shëndeti mental tek femrat sportiste".

Konferenca është zhvilluar në formë panelesh, ndërsa në njërin nga panelet ishte pjesëmarrëse edhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, e cila ndër të tjera tha:

"Në vitin 2017 kur edhe është organizuar kjo Konferencë për herë të parë, unë gjithashtu kam qenë paneliste dhe atëbotë kam folur për statistikat dhe numrin e basketbollisteve, trajnereve, refereve, që ka qenë dukshëm larg prej asaj çka do të flas sot.

Në vitin 2017 e kemi pasur Ligën e Femrave me 8 ekipe dhe Ligën U16 me 4 ekipe, ndërsa pas dy viteve pra sot FBK ka nën ombrellën e saj, Superligën e Femrave me 6 ekipe, Ligën e Parë të Femrave me 6 ekipe, Ligën U16 me 10 ekipe dhe Ligën U14 me 4, si dhe me 2 Përfaqësuese të Kosovës (U16, U18) kemi marr pjesë në FIBA Kampionate Evropiane.

Sivjet kemi marr pjesë me 3 Përfaqësuese në FIBA Kampionate Evropiane, Divizione B, U16, U18, U20. Krahas kësaj i kemi 2 projekte të vajzave në bashkëpunim me FIBA Evropën, në njërin i kemi të përfshira rreth 300 vajza të moshës 6 deri 15 vjeç, ndërsa në tjetrin janë të përfshira djemtë dhe vajzat bashkë, ndërsa numri i vajzave arrin në 40, të cilat janë moshës 14-15 vjet dhe të cilat për cdo vit janë pjesë e Kampit Nacional dhe turneve ndërkombëtar që organizohen në pesë shtete: Kosovë, Turqi, Maqedoni, Rumani dhe Bullgari. Po ashtu në kuadër të këtyre projekteve kemi trajnere të përfshira, disa prej tyre janë basketbolliste aktive, por që i kemi identifikuar si potencial për trajnere dhe i kemi inkurajuar duke i dërguar në Kampe jashtë vendit, por edhe duke i emëruar si ndihmëstrajnere në Përfaqësueset e Reja të Femrave.

Së fundi jemi ftuar nga Departamenti i shtetit Amerikan për ti dërguar 5 vajza të reja dhe 1 trajnere për vizitë studimore në SHBA (dy javë), ndërsa kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Ambasadën Amerikane në Prishtinë, me të cilën kemi realizuar disa projekte për masovizimin e basketbollit ndër vajza dhe ndër komunitetet që jetojnë në vendin tonë.

Ajka e gjithë kësaj ka qenë organizimi i FIBA U20 Kampionatit Evropian, Divizioni B - Femrat në Prishtinë ku për dy javë ditë në kryeqytet kanë qëndruar 11 shtete me basketboll të zhvilluar, kurse sa i përket organizimit e kemi marr notën më të lartë nga FIBA.

Por meritat për gjithë këtë punë dhe këtë investim të madh i takojnë Kryetarit dhe Bordit të FBK-së, të cilët i miratojnë pa hezitim politikat programore të përgatitura nga unë në dobi të zhvillimit të basketbollit femëror.

Ne natyrisht se jemi të kënaqur me punë që po e bëjmë, por nuk duhet të jemi të vetëkënaqur, sepse gjithmonë ka hapësirë për të bërë edhe më shumë e ne do të vazhdojmë të punojmë pandërprerë për të rritur numrin e vajzeve që merren me basketboll, refereve, trajnereve, anëtareve të Bordit etj)”.