FBK falënderon vullnetarët për angazhimin e pashoq në FIBA U18 Kampionatin Evropian, Divizioni C

  • FBK falënderon vullnetarët për angazhimin e pashoq në FIBA U18 Kampionatin Evropian, Divizioni C
1 Gusht 2018

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) falënderon të gjithë vullnetarët për angazhimin e pashoq në FIBA U18 Kampionatin Evropian, Divizioni C që është mbajtur në Prishtinë prej 22 deri më 29 korrik.

Në organizmin e Kampionatit janë përfshirë 30 vullnetarë, të cilët së bashku me stafin e FBK-së kanë bërë që gjithçka të shkoj në mënyrën më të mirë të mundshme sa i përket organizimit të kësaj gare në kryeqytetin kosovar.

Ka qenë pikërisht edhe Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak, ai i cili në letrën e dërguar ditë më parë në FBK i ka përgëzuar vullnetarët për gjithë angazhimin e tyre në organizimin e këtij Kampionati.

Edhe numri një i FBK-së, Arben Fetahu e ka shfrytëzuar rastin për të falënderuar vullnetarët:

“Kanë qenë 10 ditë plot angazhim, me pak orë gjumë, dhe me shumë përgjegjësi për të gjithë ata që kanë punuar në organizimin e FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C në Prishtinë.

Megjithatë vullnetarët janë ata që duhet veçuar për punën e bërë, sepse detyrat e tyre kanë qenë me shumë përgjegjësi dhe të cilat ata i kanë kryer me shumë sukses.

Unë jam shumë i kënaqur me gjithë punën e bërë nga vullnetarët dhe uroj që ky angazhim i pashoq i tyre të vazhdoj edhe në aktivitetet tjera që organizohen nga FBK, si ato vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare. Jemi shumë të lumtur që ju kemi në mesin tonë”.

Duhet theksuar se kampion i FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C është shpallur Kosova, duke e mposhtur në finale Qipron.