FBK në Planin e Veprimit të vitit 2019 do ti kushtojë rëndësi të veçantë zhvillimit të basketbollit femëror

  • FBK në Planin e Veprimit të vitit 2019 do ti kushtojë rëndësi të veçantë zhvillimit të basketbollit femëror
10 Janar 2019

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) në Planin e Veprimit të vitit 2019 në politikat e saj programore i ka kushtuar rëndësi të veçantë masovizimit dhe zhvillimit të basketbollit femëror në vendin tonë.

FBK këtë e ka bërë nëpërmjet disa politikave programore, ndërsa më poshtë ne do ti paraqesim disa nga punët më të rëndësishme që do të bëhen gjatë këtij viti për të sensibilizuar opinionin në pëkrahje të femrave në sport, për të avancuar basketbollin e femrave dhe për të masovizuar basketbollin ndër femra. Kur të bëhen të gjitha këto pika bashkë, atëherë doemos do të kemi zhvillim të basketbollit të femrave.

-          Federata e Basketbollit të Kosovës e ka fituar të drejtën për të organizuar FIBA U20 Kampionatin Evropian, Divizioni B në konkurrencën e femrave. Nëpërmjet organizimit të kësaj gare prestigjioze në vendin tonë, FBK do të mundohet të vetëdijësoj qeveritë lokale dhe atë qendrore për të rritur përkrahjen për basketbollin femëror, duke filluar nga klubet dhe deri te ekipet nacionale, si dhe për të shtyrë edhe sponsorët në mbështetje të sportit të femrave.  Po ashtu FBK nëpërmjet organizimit të këtij aktiviteti synon të masovizoj basketbollin në vendin tonë, si dhe të vetëdijësoj prindërit dhe arsimtarët që t’i shtyjnë vajzat të merren sa më shumë me sport, në këtë rast me basketboll. FIBA U20 Kampionati Evropian, Divizion B në konkurrencën e femrave organizohet prej 3 deri më 12 gusht në Prishtinë dhe marrin pjesë 13 shtete si: Kosova, Islanda, Kroacia, Izraeli, Ukraina, Irlanda, Britania e Madhe, Danimarka, Turqia, Rumania, Finlanda, Greqia dhe Bullgaria;

-          Federata e Basketbollit të Kosovës sivjet për herë të parë do të marr pjesë me 3 Përfaqësuese të Reja në konkurrencën e femrave në FIBA Kampionate Evropiane, Divizione B. Sivjet do të debutoj në gara ndërkombëtare Përfaqësuesja U20, ndërsa qëllimi i paraqitjes së kësaj gjenerate në gara ndërkombëtare është fillimi i ndërtimit të Përfaqësueses A të Femrave, të cilën FBK planifikon që në vitin 2020 ta paraqes për herë të parë për të garuar në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla.

FIBA Kampionati Evropian U16, Divizioni B, 15-24 gusht 2018, Sofje/Bullgari

Kosova në Grupin C së bashku me Sllovakinë, Kroacinë, Norvegjinë, Izraelin dhe Zvicrën.

FIBA Kampionati Evropian U18, Divizioni B, 5-14 korrik 2019, Shkup/Maqedoni

Kosova në Grupin A së bashku me Slloveninë, Danimarkën, Finlandën, Estoninë dhe Norvegjinë.

FIBA Kampionati Evropian U20, DIvizioni B, 3-11 gusht 2019, 3-12 Gusht 2019, Prishtinë/Kosovë.

Kosova në Grupin A së bashku me Islandën, Kroacinë dhe Izraelin.

-          FBK do të marr pjesë për vitin e tretë radhazi në Kampin në Postojna të Sllovenisë që organizohet nga FIBA dhe Federata e Basketbollit të Sllovenisë për vajzat e moshës deri në 15 vjeç. Në këtë Kamp, FBK do të përfaqësohet me 2 basketbolliste, 1 trajnere (femër) dhe 1 gjyqtare (femër). Kampi në Postojna vlerësohet si ndër aktivitetet më të rëndësishme në programin e FIBA-s për zhvillimin e basketbollit femëror ndër gjenerata të reja;

-          Do të filloj implementimin e projektit FIBA Europe Girls’ Program që ka për qëllim masovizimin dhe vetëdijësimin e vajzave për t’u marr me basketboll. Projekti i dedikohet vajzave të moshës 6 deri 15 vjeç, ndërsa do të përfshihen Komunat që janë më pak të aktivizuara në sport, në bashkëpunim me arsimtarët dhe prindërit;

-          FBK do të shpërndaj topa MOLTEN donacion nga FIBA Evropa për klubet e femrave të gjeneratave të reja;

-          Do të vazhdoj me implementimin e projektit të FIBA-s, Youth Development Fund, në të cilin janë të përfshirë djem dhe vajza të reja (në mënyrë të barabartë) të moshës deri në 15 vjeç. Në kuadër të këtij projekti vajzat tona kanë mundësinë të marrin pjesë në turne ndërkombëtar së bashku me koleget e tyre nga Maqedonia, Rumania, Bullgaria dhe Turqia;

-          Do të organizoj për vitin e dytë radhazi Kampin Nacional të FBK-së për vajza të moshës deri në 14 vjeç me qëllim të identifikimit të talenteve;

-          FBK në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane të Prishtinë do të organizoj Kamp një javor për vajza nëpër komuna të ndryshme, me ç’rast në Kosovë do të qëndrojnë një basketbolliste dhe një trajnere nga SHBA, aktivitet ky që për qëllim ka motivimin e vajzave të reja për tu marr me sport, në këtë rast me basketboll;

-          FBK në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Prishtinë planifikon të dërgoj disa basketbolliste të reja si dhe trajnere në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një vizitë studimore;

-          FBK edhe në vitin 2019 do të merr përsipër heqjen e shpenzimeve të personave zyrtar të ndeshjeve për Ligën Seniore të Femrave, Ligën U16 dhe Ligën U14, si dhe garat e Kupës së Kosovës;

-          FBK do të organizoj Superkupën e Kosovës për vitin e dytë radhazi në konkurrencën e femrave;

-          FBK do të vazhdoj me mbështetjen në formë donacioni për ekipet e Ligës Seniore të Femrave;

-          FBK e ka dyfishuar shumën e shpërblimit për ekipin që shpallet kampion i Kosovës në konkurrencën e femrave;

-          FBK sivjet planifikon që ti kushtojë rëndësi të veçantë përgatitjes sa më të mirë fizike dhe mentale të basketbollisteve të të gjitha Përfaqësueseve të Reja (U16, U18, U20), ku me këtë rast planifikon që krahas mjekëve në stafin e saj të përfshijë edhe fizioterapeut për të gjitha Përfaqësueset, trajner kondicional si dhe trajner mental;

-          Duhet theksuar se Federata e Basketbollit të Kosovës vazhdon të jetë një nga organizatat sportive rol model për mbështetjen e femrave në ngritjen e kapaciteteve menaxhuese, e këtu duhet përmendur faktin, se pjesë e stafit të zyres ekzekutive që përbëhet nga 8 persona, 3 prej tyre janë femra dhe që të gjitha në pozita me role të rëndësishme, Sekretarja e Përgjithshme, Menaxherja e Zyres dhe Zyrtarja Administrative.