Fitorja e radhës për Sigal Prishtinën, Bashkimi nuk lejoi befasi në përballje me Trepçën

  • Fitorja e radhës për Sigal Prishtinën, Bashkimi nuk lejoi befasi në përballje me Trepçën
12 Mars 2018

Sigal Prishtina e ka shënuar edhe një tjetër fitore në IP Superligën e Kosovës në basketboll.

Bardhekaltrit kanë triumfuar në kuadër të xhiros së XXI në elitën e basketbollit kosovar kundër Rahovecit me rezultat 84:71. Njëherësh kjo ishte edhe fitorja e 21-të e kryeqytetasve në IP Superligë nga po aq ndeshje të luajtura.

Valon Bunjaku me 21 pikë, Fisnik Rugova me 16, Granit Rugova dhe Alban Veseli me nga 13 pikë ishin më efikasit në radhët e Sigal Prishtinës.

Te Rahoveci më të dalluarit ishin Arian Qallaku me 20 pikë, Mark Williams me 19 dhe Junious Prowell me 13 pikë.

Ndërkohë fitore në kuadër të kësaj xhiroje ka regjistruar edhe Bashkimi në ballafaqim me Trepçën me shifrat 86:75.

Mikaile Tmusic me 27 pikë të shënuara ishte më i merituari për fitoren e prizrenasve, ndërsa me lojë të mirë u dalluan edhe Ergin Grosha me 14 pikë, Vincent Zollo me 13 dhe Aaron Moos me 12 sosh.

Në radhët e skuadrës mitrovicase më efikasit ishin Samir Zekiqi me 26 pikë dhe Besnik Azemi me 22 sosh.

Duhet theksuar se të mërkurën dhe të enjten që e lamë pas janë luajtur dy takime të tjera të xhiros së XXI, ku Golden Eagle Ylli e ka mposhtur Borean me 82:73 dhe Peja ka triumfuar kundër Kerasan Prishtinës me 66:58.