FBK 2015

GJITHÇKA GATI PËR TURNEUN FINAL TË KUPËS SË KOSOVËS

  • GJITHÇKA GATI PËR TURNEUN FINAL TË KUPËS SË KOSOVËS
  • GJITHÇKA GATI PËR TURNEUN FINAL TË KUPËS SË KOSOVËS
16 Shkurt 2017

Gjithçka është gati për Turneun Final të Kupës së Kosovës në basketboll. Kështu kanë deklaruar të enjten në konferencën për media të organizuar në zyre të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), organizatori i këtij eventi, KB Trepça dhe FBK-ja.

Të pranishëm në konferencë ishin ushtruesja e detyrës së Sekretares së Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushku, drejtori gjeneral i KB Trepça, Besim Braha dhe 6 kapitenët e ekipeve pjesëmarrëse në Turneun Final të Kupës së Kosovës.

Konferencën e ka hapur u.d. Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, e cili i ka falenderuar të gjitha mediat për interesimin e madh që e kanë shprehur për ta përcjell Turneun Final të Kupës së Kosovës si dhe e ka përgëzuar KB Trepçën për punën e madhe që e ka bërë deri më tani rreth organizimit të këtij eventi:

“E përgëzoj klubin së pari që e ka fituar të drejtën për të organizuar Turneun Final të Kupës së Kosovës dhe për organizimin që e ka bërë dhe për punën e madhe që po e bën në mënyrë që gjithçka të shkoj ashtu siç duhet në këtë ngjarje. Po ashtu ne si federatë jemi duke i kryer me përpikëri detyrat tona që na takojnë në bazë të Udhëzuesit për organizimin e Turneut Final të Kupës së Kosovës. Unë uroj që gjithçka të shkoj sipas planit të paraparë dhe që të gjithë adhuruesit e basketbollit të kënaqen me këtë festë basketbolli, e cila do të filloj të premten dhe do të përfundoj të dielën”.

Ndërkaq drejtori gjeneral i KB Trepça, Besim Braha ka thënë se kjo nuk është hera e parë që qyteti i Mitrovicës, por edhe klubi janë dëshmuar për organizime të mëdha, derisa ai ka premtuar se kësaj radhe do të jetë dukshëm edhe më mirë:

“Gjithçka është gati për fillimin e Turneut Final të Kupës së Kosovës. KB Trepça i ka kryer të gjitha detyrat që dalin nga Udhëzuesi për organizimin e Turneut Final të Kupës së Kosovës. Tifozët e të gjitha ekipeve gjysmëfinaliste do të jenë të pranishëm në palestër. Kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me Policinë, e cila do të jetë e gatshme të na shërbej në mënyrë që gjithçka të filloj dhe të mbarojë në mënyrën më të mirë të mundshme.  Ne jemi të kënaqur që mund t’ju ofrojmë adhuruesve të sportit, në këtë rast basketbollit në Mitrovicë një event kaq të madh siç është Turneu Final i Kupës së Kosovës. Ne premtojmë se në bashkëpunim me FBK-në do të dëshmojmë se basketbolli është numri 1 në Kosovë”.

Besnik Azemi, kapiten i KB Trepça: “Ne jemi shumë  të  motivuar, sepse luajmë  në  palestrën tonë  dhe shpresojmë  se me lojë  të  mirë, si dhe me përparësinë  e terrenit vendas do të  arrijmë  së  pari ta mposhtim Sigal Prishtinën në  gjysmë finale e më  pas edhe të  triumfojmë  në  finale. Jemi optimist se kupa do të  mbetet në  Mitrovicë . Për dallim nga ekipet e tjera gjysmë finaliste, Trepça ka një  përbë rje më  stabile, pasi nuk kemi ndryshuar shumë  basketbollistë  të  huaj, gjë  që  e kanë  bërë  skuadrat tjera”.

Granit Rugova, basketbollist i KB Sigal Prishtina: “Ne jemi fitues të kupës për edicionin e kaluar dhe të gjithë e dimë se më vështirë është ta mbrosh trofeun se sa ta fitosh atë. E dimë se do të jetë shumë vështirë, por besojmë se me këtë ekip që e kemi do t’ia dalim të plasohemi në finalen e madhe dhe nëse e bëjmë këtë atëherë duam që ta fitojmë sërish trofeun e Kupës”.

Art Hajdari, kapiten i KB Pejës: “Unë besoj se do të jetë një atmosferë e mirë dhe se nuk do të mungoj basketbolli cilësor. Ne jemi përgatitur maksimalisht. Sidoqoftë ne së pari duhet të mendojmë për Bashkimin, të cilën skuadër për asnjë çast nuk do ta nënçmojmë dhe më pas do të fillojmë të mendojmë për finale”.

Qëndrim Biraj, kapiten i KB Bashkimit: “Ne jemi përgatitur shumë për duelin me Pejën, kur e dimë se përballë do ta kemi një ekip mjaft të fortë, por ne premtojmë se do ta japim  maksimumin për të arritur deri te rezultati pozitiv. Vështirë do të jetë, për këtë jemi të vetëdijshëm, mirëpo ne nuk do të dorëzohemi për asnjë çast”.

Irma Konjusha, basketbolliste e Penzës: “Ne jemi përgatitur, duke e ditur se do të luajmë kundër Prishtinës, që ka ekip të mirë. Nëse e luajmë lojën tonë, ashtu siç dimë ne, unë besoj se ne do të arrijmë të mbrojmë trofeun e fituar një vit më parë”.

Arbnore Perquku, kapitene e Penti Prishtinës: “Penza në këtë edicion na ka mposhtur një herë dhe për ne ka qenë një lojë që duhet harruar sa më shpejt, andaj këtë gjë mund ta bëjmë qysh në ndeshjen e së dielës, duke triumfuar dhe duke e kthyer trofeun në kryeqytet”.

Turneu Final i Kupës së Kosovës do të zhvillohet më 17 dhe 19 Shkurt 2017 në palestrën e sporteve “Minatori” në Mitrovicë.

Të premten në gjysmëfinalen e parë, e cila do të zhvillohet me fillim nga ora 16:00 do të përballen KB Bashkimi – KB Peja, kurse ndeshja e dytë gjysmëfinale do të luhet duke filluar nga ora 20:00, ku do të takohen KB Trepça – KB Sigal Prishtina. Ndërkaq finalet në të dyja konkurrencat do të zhvillohen të dielën me fillim nga ora 16:30 dhe 19:30. Në finalen e femrave do të ballafaqohen Penza nga Peja dhe Penti Prishtina.

Të gjitha ndeshjet e Turneut Final të Kupës së Kosovës do të transmetohen drejtëpërdrejtë në SuperSport Kosova.

Ceremonia hapëse e kësaj ngjarje madhështore për basketbollin kosovar do të bëhet të premten ndërmjet dy ndeshjeve gjysmëfinale, pra në orën 19:00.