Humbje e Kosovës nga Maqedonia

  • Humbje e Kosovës nga Maqedonia
13 Gusht 2017

Përfaqësuesja A e Kosovës të shtunën mbrëma e ka regjistruar humbjen e dytë radhazi në kuadër të Grupit C të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës "Kina 2019".

Pas disfatës në mes javë nga Estonia, Kosova ka pësuar humbje në Shkup edhe nga Maqedonia me shifrat 87:74 (19:22, 21:19, 23:13, 24:20).

Në dy çerekët e parë loja ishte e baraspeshuar, dhe këtë e dëshmon më së miri rezultati 40:41 në të mirë të Kosovës. Por atëherë kur mendohej se basketbollistët tanë do të dalin në parket dhe do të luajnë edhe më fuqishëm, ndodhi e kundërta ishin kundërshtarët ata që e bënë një gjë të tillë, andaj edhe kjo pjesë e lojës iu takoi tërësisht atyre. Çereku i tretë u përmbyll me shifrat 23:13 në të mirë të maqedonasve. Në dhjetëminutëshin e fundit Kosova në minutat e para u mundua maksimalisht të ngushtojë epërsinë, por ishte e pamundur pasi Maqedonia qëllonte pothuajse nga të gjitha pozitat dhe kjo bëri që ata në fund të triumfojnë me 13 pikë dallim.

Më efikasi në radhët e Kosovës ishte Fisnik Rugova me 17 pikë, kurse të Maqedonia më i dalluari ishte Jordan Theodore me 24 pikë, 9 kërcime e 4 asistime.

Tani Kosova ka bilanc prej 2 humbje e 1 fitore në Grupin C të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”, ndërsa Maqedonia ka po ashtu bilanc të njëjtë, 2 humbje e 1 fitore, derisa Estonia është e vetmja me 2 fitore.

Megjithatë të mërkurën që vjen, Estonia është nikoqire e Maqedonisë, si dhe më 19 gusht, Estonia është mysafire e Kosovës.

Pavarësisht faktit se Estonia është duke e udhëhequr Grupin, tani të tri ekipet kanë gjasa të barabarta për t’u kualifikuar tutje, por që duhet pritur takimin e së mërkurës, ndërmjet estonëve dhe maqedonasve, ku edhe do të fillojnë që gjërat të bëhen më të qarta në këtë grup.

Duhet theksuar se Kosova dhe Maqedonia, të vetmet fitore i kanë shënuar ndërmjet njëra-tjetrës, ku së pari Përfaqësuesja jonë më 2 gusht i mposhti maqedonasit në Prishtinë me shifrat 72:68, kurse 10 ditë më pas ishte Maqedonia ajo që triumfoi ndaj Kosovës, por që kësaj radhe ata regjistruan fitore me 13 pikë epërsi.