Jemi gati për basketboll

  • Jemi gati për basketboll
5 Tetor 2013

Të nderuar miq, udhëheqës të klubeve dhe shoqatave, lojtarë, trajnerë, gjyqtarë, staf i FBK-së, tifozë, dua të gjithëve edhe njëherë t'ju falenderoj që më mundësuat t'i prij basketbollit kosovar.

Në vitet në vijim, ne mund të kemi sukses vetëm nëse i përmbahemi parimeve, në bazë të të cilave, të bashkuar si kurrë më parë, kemi nisur këtë rrugëtim: që prioritet dhe ideal absolut i yni të jetë: e mira e basketbollit kosovar.

Këtu kam nevojë për ndihmën dhe përkrahjen e të gjithë juve që i`a doni të mirën basketbollit. Jemi në prag të edicionit të garave i cili nga shumëkush vlerësohet që do të jetë më interesanti në historikun e basketbollit kosovar. Pjesëmarrja e Sigal Prishtinës dhe Pejes në Ligën Ballkanike imponon edhe më shumë siguri dhe garanci të cilësisë. Andaj, kërkoj nga prijësit e klubeve, në veçanti kryetarët dhe drejtorët, por edhe trajnerët, që të respektoni kundërshtarin, rregullat e lojës dhe gjyqtarët.

Nga gjyqtarët pres një punë profesionale, të paanshme dhe bashkëpunim me vëzhguesit, klubet dhe organet tjera të FBK-së. Lojtarët duhet të sillen si sportistë të vërtetë ngase basketbolli duke qenë sporti më i popullarizuar, prodhon idhuj për shumë të rinjë. Garoni më së miri që dini, por mos harroni që sportistin e madh nuk e bën vetëm aftësia në fushë, por edhe sjelljet e mira, respekti ndaj kundërshtarit dhe respekti ndaj tifozëve.

Kuptohet që e gjithë gara bëhet edhe për të kënaqur tifozët dhe shikuesit që e dojnë këtë sport të bukur. Kërkoj nga tifozët që së pari të respektojnë klubin, lojtarët dhe udhëheqësitë e klubeve të tyre, por edhe kundërshtarin. Sporti është garë, nuk është luftë. Në palestra duam të kemi përkrahës të skuadrave, jo aso që i urrejnë ekipet e tjera dhe përkrahësit e tyre. Etika njerëzore, morale por edhe FBK dhe FIBA nuk lejojnë huliganizëm dhe sjellje të pahijshme në palestër. Ne dëshirojmë që edhe familjet tuaja, fëmijët, nënat e motrat, të vijnë e të kënaqen në një ambient sportiv, e jo të ikin nga turpi i sjelljeve dhe fyerjeve që nuk na kanë hije. Të jeni të bindur se këtë do ta arrijmë.

FBK është në shërbim të basketbollit dhe basketbolldashësve, kjo na obligon dhe ju garantoj që do të ketë tolerancë zero për të gjithë ata që nuk i respektojnë propozicionet e garave dhe sjelljet sportive, qofshin ata prijës të klubeve, zyrtarë të federatës, lojtarë, trajnerë apo tifozë.

Të dëshmojmë që jemi më të mirët, që dimë të garojmë por edhe të respektojmë më të mirin

Suksese të gjithëve, e na priftë e mbara!