Katër vjet nga pranimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës në FIBA

  • Katër vjet nga pranimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës në FIBA
  • Katër vjet nga pranimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës në FIBA
14 Mars 2019

Janë bërë katër vjet që nga anëtarësimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA).

FBK më 13 mars 2015 u pati bërë anëtarja e 215-të e FIBA-s, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIBA-s të mbajtur në Gjenevë.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu ka thënë për uebsajtin zyrtar të FBK-së se që nga ajo kohë e deri më tani basketbolli kosovar ka evaluar, por edhe është përballur me sfida nga më të ndryshmet, ndërsa në të njëjtën kohë ka provuar edhe aventura të reja ndërkombëtare, derisa edhe vetë federata është pjekur falë përvojës së fituar në këto katër vjet, duke bërë që sot FBK të jetë shembull në FIBA në aspektin e organizimit dhe menaxhimit të brendshëm.

Arben Fetahu, kryetar i FBK-së:

“Kemi punuar në disa drejtime në të njëjtën kohë, por që rëndësi e veçantë i është kushtuar punës me gjenerata të reja në të dyja konkurrencat. Pra ky ka qenë prioriteti ynë, dhe falë kësaj ne në vitin 2019 do të bëjmë gara me 6 Përfaqësuese të Reja në Kampionate Evropiane dhe që të gjitha në Divizione B, pra një rang më lartë prej aty kur edhe kemi filluar më 2015.  

Vitin e kaluar kemi qenë organizator të FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C (Meshkujt) dhe përveç notës më të lartë që e kemi marr nga FIBA për organizim, ne kemi arritur të triumfojmë në këtë Kampionat dhe kështu nga Divizioni C të kalojmë në atë B.

Sivjet jemi organizator të FIBA U20 Kampionatit Evropian, Divizioni B në konkurrencën e femrave, ku gjatë verës do të zbarkojnë në Prishtinë shtete me basketboll të zhvilluar si Turqia, Greqia, Izraeli, Ukraina etj. Po ashtu për herë të parë do të marrim pjesë me këtë Përfaqësuese në një Kampionat Evropian dhe e gjithë kjo punë po bëhet në përkrahje të basketbollit femëror, pasi që ngritja e cilësisë te femrat është ndër prioritet kryesore të FBK-së.

Po ashtu që nga viti i pranimit jemi përkrahur nga FIBA me projekte të ndryshme të kategorive të reja, ndërsa tash e tre vite jemi pjesë e një projekti të përbashkët me Turqinë, Maqedoninë, Bullgarinë dhe Rumaninë, që ka për qëllim zhvillimin e basketbollistëve/eve të rinj, trajnerëve dhe menaxherëve. Ky projekt në dy vitet e para ka qenë vetëm në konkurrencën e meshkujve, ndërsa pas insistimit të FBK-së në dy vitet tjera është bërë edhe në konkurrencën e femrave.

Krahas këtij projekti për zhvillim të gjeneratave të reja, FBK e ka fituar edhe një projekt në FIBA dhe atë vetëm për vajza e që ka për qëllim masovizimin e basketbollit femëror në vendet rurale, apo edhe në qytetet ku nuk ka ekipe të basketbollit në konkurrencën e femrave.

Brenda këtyre katër viteve kemi marr pjesë në kualifikime me Përfaqësuesen A të Kosovës për Eurobasket 2017, ku ndonëse nuk e kemi fituar asnjë ndeshje, ne kemi fituar përvojë në aspektin organizativ, por edhe në aspektin e organizimit të brendshëm  të Përfaqësueses. Kjo përvojë, por edhe angazhimi shtesë dhe disa ndryshime në Përfaqësuese, që kanë rezultuar si pozitive, na kanë ndihmuar të kalojmë fazën e parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës ‘Kina 2019’, duke eliminuar kështu një kombëtare të fortë si Maqedonia, ndërsa më pas kemi qenë pjesë e kualifikimeve në grup me kombëtare me renome botërore, siç është Lituania, Polonia e Hungaria, ku jemi eliminuar për të vazhduar më pas në parakualifikimet për Eurobasket 2021 në grup me Maqedoninë dhe Rumaninë. Në këtë grup nuk patëm fat të kualifikohemi, por tani verës e kemi edhe një shans për të siguruar biletën për në kualifikime për Eurobasket 2021 dhe jemi shumë optimist se do t’ia dalim me sukses ta realizojmë këtë mision.

Në të njëjtën kohë kemi punuar shumë në ngritjen e cilësisë së gjyqtarëve/vëzhguesve, ku mendoj se kemi pasur mjaft sukses, por që nuk duhet të vetëkënaqemi, duhet të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë në këtë drejtim. Në vitin e katërt të pranimit në FIBA ne e kemi fituar të drejtën të kandidojmë 4 gjyqtarë dhe 1 komisioner për në FIBA.

I kemi në shkollim në programin e FIBA-s, FECC, 2 trajnerë nga Kosova, ndërsa 3 të tjerë tashmë e kanë përfunduar këtë shkollim dhe 1 trajner tjetër do të filloj sivjet shkollimin, kurse edhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së e ka përfunduar shkollimin në programin për adminstratorë të sportit në FIBA të ashtuquajtur “TIME OUT”.

Në nivel të klubeve kemi përjetuar rënie në dy vitet e fundit, por besojmë se me fillimin e implementimit të ligjit për sponsorizim, skuadrat do të arrijnë të menaxhohen dukshëm më mirë dhe kështu do të fillojmë të krijojmë një bazë të fortë në secilin klub të Kosovës, përfshirë të dyja gjinitë.

Sa i përket klubeve në nivel ndërkombëtar është për tu lavdëruar paraqitja e Z Mobile Prishtinës në FIBA Europe Cup, garë kjo që për çdo vit vetëm sa po vjen e po bëhet më kualitative. Z Mobile Prishtina arriti në TOP 16 të FIBA Europe Cup dhe FBK një të arritur të tillë e vlerëson si shumë pozitive për basketbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi.

Më në fund pas dhjetë viteve punime tashmë e kemi një palestër moderne në Rahovec, dhe një klub mjaft të moblizuar e që dëshmia më e mirë është organizimi i Final 8 të Kupës së Kosovës për pesë ditë në këtë qytet. Organizimi ka qenë për çdo lëvdatë dhe kjo dëshmon se kur ka vullnet dhe dëshirë nga njerëz që ia duan të mirën sportit gjërat gjithsesi se do të realizohen.

Raportet me FIBA-n në këto katër vitet e pranimit janë për t’u lavdëruar, dhe këtë e dëshmon më së miri fakti se na janë besuar projekte të mëdha si tek gjeneratat e reja, ashtu edhe tek gjyqtarët. Tek këta të fundit për vitin e katërt radhazi FBK ka qenë organizatore e Klinikës për Gjyqtarët Kandidatë Potencial për thirrje të FIBA-s.

Dhe për të dëshmuar vazhdimin e mbështetjes së saj, FIBA e ka bërë këtë nëpërmjet besimit që na ka dhënë për organizimin e Kampionatit Evropian U-18, Divizioni C (Meshkujt) vitin e kaluar dhe tashmë këtë vit kur do të organizojmë FIBA U20 Kampionatin Evropian, Divizioni B (Femrat) ku gjatë kësaj vere në Kosovë do të zbarkojnë 12 kombëtare nga Evropa, së bashku me zyrtarët më të lartë të FIBA-s.

Pjesëmarrja në Konferenca të ndryshme dhe Punëtori të FIBA-s, i kanë shërbyer FBK-së që të rris potencialin e anëtarëve të stafit, numri i të cilëve sot numëron 8, gjë e cila në takimet e FIBA-s që i kemi pasur ne zyrtarët e lartë të FBK-së ka qenë për t’u lavdëruar dhe për t’u marr shembull.

Tash e tre vite kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, me të cilën kemi realizuar projekte të përbashkëta për djem dhe vajza të reja, të të gjitha komuniteteve, por edhe për stafin e FBK-së, projekte këto që janë realizuar në Kosovë, por edhe në SHBA, dhe ky bashkëpunim vetëm sa po vjen e po thellohet edhe më shumë.

Shikuar në tërësi e kemi bërë një punë të madhe, por ajo që na pret në ditët, javët, muajt e vitet në vazhdim është edhe më e madhe. Por kjo është sfida që ne e kemi pranuar si federatë dhe do të përpiqemi që të bëjmë gjithçka në të mirë të zhvillimit dhe ngritjes së cilësisë së basketbollit kosovar”.