Kosova pësoi humbje nga Maqedonia

  • Kosova pësoi humbje nga Maqedonia
2 Dhjetor 2018

Kosova ka pësuar disfatë nga Maqedonia të dielën mbrëma në ndeshjen e luajtur në Gjevgjeli në kuadër të Grupit B të raundit të dytë të parakualifikimeve për Eurobasket 2021.

Ndeshja ka përfunduar me shifrat 78:68 (29:16, 10:19, 22:12, 17:21).

Maqedonasit e kanë dominuar takimin prej fillimit e deri në fund, ndonëse basketbollistët tanë në fund të pjesës së parë kanë arritur ta ngushtojnë rezultatin në 4 pikë, 39:35, rezultat ky me të cilin edhe kanë shkuar skuadrat në pushim. Mirëpo me tu kthyer në parket nikoqirët vazhduan dominimin dhe kështu në fund ia dolën të triumfojnë me 10 pikë epërsi.

Më efikasit te Kosova ishin Dardan Berisha me 19 pikë, 5 kërcime e 5 asistime, Lis Shoshi me 18 pikë e 15 kërcime dhe Gëzim Morina me 15 pikë e 7 kërcime.

Në anën tjetër te Maqedonia më të dalluarit ishin Bojan Trajkovski me 23 pikë e 13 kërcime dhe Shane Whittington me 15 pikë e 6 kërcime.

Kjo është disfata e dytë e Kosovës nga Maqedonia në kuadër të këtyre parakualifikimeve pasi që në shtator të këtij viti në Prishtinë, Përfaqësuesja jonë u pati mposhtur me shifrat 76:73, derisa së fundi basketbollistët tanë, të enjten që e lamë pas kanë pësuar humbje nga Rumania me rezultat 88:83.

Në këtë mënyrë Maqedonia i prin Grupit B me 3 ndeshje e po aq fitore, Rumania është e dyta me 2 ndeshje e 1 fitore, kurse Kosova është e treta me 3 ndeshje e po aq humbje.

Kosova ndeshjen e fundit në kuadër të raundit të dytë të Grupit B të parakualifikimeve për Eurobasket 2021 do ta luaj më 24 shkurt në shtëpi kundër Rumanisë.

Duhet theksuar se Kosova në dy ndeshjet, pra kundër Rumanisë dhe Maqedonisë është paraqitur me lojtarë vendor, pa asnjë amerikan, dhe pa njërin ndër bartësit kyc të lojës, Erjon Kastratin, i cili ende është duke u rehabilituar nga lëndimi i përjetuar në shtator.

Fituesi i këtij grupi do të kualifikohet në kualifikime për Eurobasket 2021 që do të fillojnë në nëntor të vitit të ardhshëm, kurse dy kombëtaret e tjera e kanë edhe një shans tjetër për t'u kualifikuar, por nëpërmjet një raundi shtesë që do të luhet në gusht të vitit 2019.