Kosova të shtunën për fitore ndaj Maqedonisë, e cila ia siguron kualifikimin tutje

  • Kosova të shtunën për fitore ndaj Maqedonisë, e cila ia siguron kualifikimin tutje
11 Gusht 2017

Përfaqësuesja A e Kosovës të shtunën me fillim nga ora 20:30 është mysafire e Maqedonisë, në ndeshjen që i takon Grupit C të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Kjo ndeshje do të  luhet në palestrën “Boris Trajkovski” të Shkupit, por pa shikues, sepse kështu kanë vendosur autoritetet maqedonase.

Në takimin e parë të luajtur para nëntë ditëve në Prishtinë, Kosova e ka mposhtur Maqedoninë me shifrat 72:68, por Përfaqësuesja jonë në këtë mesjavë pësoi disfatë me shifrat 76:50 në Tallinn nga Estonia.

Në fakt Përfaqësuesja e Estonisë është e vetmja pa asnjë disfatë në grup dhe kështu pothuajse e ka të siguruar kualifikimin tutje.

Në anën tjetër janë Kosova dhe Maqedonia që po luftojnë për pozitën e dytë që i dërgon në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”. Maqedonia ka bilanc prej 2 humbje e asnjë fitore në grup, kurse Kosova ka bilanc 1 fitore e 1 humbje.

Kështu pas dy humbjeve rresht, Maqedonia është në një pozitë mjaft të vështirë dhe më nuk ka vend për gabime për këtë Përfaqësuese.

Ndërkaq me fitoren në Shkup, Kosova do të vazhdonte tutje në kualifikime së bashku me Estoninë, duke e eliminuar kështu Maqedoninë.

Pas humbjes 72:68 kundër Kosovës në Prishtinë, Maqedonia do të duhet të fitoj me 5 pikë epërsi për të krijuar një avantazh, i cili më pas do ta bënte luftën me Kosovën edhe më interesante për një pozitë tutje.

Përfaqësuesja jonë të premten ka zbarkuar nga Tallinni në Shkup dhe sonte do ta zhvilloj stërvitjen e parë në palestrën “Boris Trajkovski”.

Brad Greenberg, përzgjedhës i Kosovës:

"Ne kemi arritur në Maqedoni sot herët në mëngjes dhe do të mbajmë një takim ekipor si dhe një stërvitje në mbrëmje. Ne e dimë se sa e rëndësishme është kjo ndeshje. Po ashtu ne e dimë se është një  ndeshje 'mbijetese' për Maqedoninë, andaj unë pres nga ata që dalin në fushë dhe të bëjnë më të mirën e tyre. Në anën tjetër ne duhet t'i mbijetojmë vullnetit të tyre dhe të luajmë fortë dhe me intensitet të lartë, ashtu siç bëmë në ndeshjen e parë kundër tyre në Prishtinë. Ne nuk ishim mjaft agresiv në Tallinn kundër Estonisë, dhe kjo nuk duhet të na ndodh në ndeshjen e së shtunës. Duelet e njëpasnjëshme janë shumë më të vështira  pasi kërkojnë fokus maksimal. Unë e di se lojtarët e mi e kanë kuptuar sfidën që e kanë para tyre, andaj edhe besoj se do të japin më të mirën e tyre në fushë".