Laura Dixon nga Spurs Sports & Entertainment mysafire e FBK-së

  • Laura Dixon nga  Spurs Sports & Entertainment mysafire e FBK-së
11 Shtator 2018

Prej 9 deri më 16 shtator në Prishtinë si mysafire e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) është duke qëndruar Laura Dixon, Drejtoreshë e Marrëdhënieve me Jashtë për Spurs Sports & Entertainment.

Dixon ka ardhur në Kosovë në rolin e mentores së Elvira Dushkut, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së. Dushku prej 24 shtator deri më 31 tetor 2017 pati qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në kuadër të programit “Global Sports Mentoring Program”. Dushku në tri javët e fundit të këtij programi ka qëndruar tek skuadra e pesëfishtë kampione e NBA, San Antonio Spurs.

Tani Laura Dixon nga Spurs Sports & Entertainment ka ardhur në Kosovë në kuadër të “Global Sports Mentoring Program”, që financohet dhe mbështetet nga Departamenti i Shtetit në SHBA. Dixon do të përcjell nga afër punën e Dushkut dhe zhvillimin e saj në cilësinë e lideres pas përfundimit të programit.

Dixon do të ketë takime të shumta gjatë këtyre ditëve, si dhe do të jetë pjesëmarrëse në ndeshjen Kosovë – Maqedoni që do të luhet të enjten më 13 shtator në ora 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në kuadër të parakualifikimeve për FIBA Eurobasket 2021.