Ndeshja më interesante e kësaj fundjave, Golden Eagle Ylli – Bashkimi

  • Ndeshja më interesante e kësaj fundjave, Golden Eagle Ylli – Bashkimi
15 Mars 2019

Të shtunën me fillim nga ora 19:00 në palestrën “13 Qershori” në Suharekë do të zhvillohet derbi i xhiros së XXII në Superligën e Kosovës në basketboll, ku Golden Eagle Ylli e pret Bashkimin.

Golden Eagle Ylli zë vendin e dytë në renditjen tabelare me 14 fitore e 7 humbje, kurse Bashkimi është në pozitën e katërt me 11 fitore e 10 humbje. 

Ekipi nga Suhareka është duke kaluar një edicion shumë të mirë, derisa në anën tjetër nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për kampionen në fuqi, Bashkimin.

Të shtunën në kuadër të kësaj xhiroje është edhe një tjetër ndeshje, ajo në Rahovec në mes Rahovecit dhe AFK Boreas duke filluar nga ora 17:00. Skuadra nikoqire vlerësohet favorite karshi ekipit nga Peja.

Ndërkohë të dielën janë në program dy ndeshje të tjera, ku Trepça e pret Z Mobile Prishtinën e pamposhtur deri më tani. Ky duel do të luhet në palestrën “Minatori” me fillim nga ora 17:00.

Në Prizren, Ponte Prizreni dhe Lipjani do ta përmbyllin xhiron e XXII-të në Superligë. Kjo ndeshje do të zhvillohet duke filluar nga ora 19:00 në palestrën “Sezai Surroi” dhe ekipi nikoqir vlerësohet favorit karshi mysafirëve.

Të gjitha ndeshjet mund ti ndiqni drejtëpërdrejtë në platformën ArtMotion.