Ndeshja për vend të tretë, risi në Final 8 të Kupës së Kosovës

  • Ndeshja për vend të tretë, risi në Final 8 të Kupës së Kosovës
8 Shkurt 2019

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në mbledhjen e vet të mbajtur më 7 shkurt e ka aprovuar kërkesën e KB Rahoveci, njëherësh ekipit organizator të Final 8 të Kupës së Kosovës për zhvillimin e ndeshjes për vend të tretë në kuadër të këtij aktiviteti.

Një kërkesë e tillë kishte arritur edhe më parë nga departamenti i gjyqtarëve nga FIBA Evropa për rritjen e numrit të ndeshjeve në kuadër të këtij aktiviteti, kur dihet se në Final 8 të Kupës së Kosovës drejtësinë do ta ndajnë gjyqtarët potencial për thirrje të FIBA-s, të cilët do të jenë të pranishëm në Klinikën që do të mbahet në Rahovec prej 27 shkurt deri më 3 mars.

Në ndeshjen për vend të tretë do të përballen dy klubet të cilat humbin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës dhe ajo do të zhvillohet më 2 mars, në orën 19:00.

Skuadra që e fiton këtë ndeshje do të shpërblehet me medaljen e bronztë dhe do ta plotësojë podiumin e fituesve së bashku me dy klubet finaliste.

Kjo do të jetë hera e parë që Federata e Basketbollit të Kosovës e praktikon një gjë të tillë, dhe planifikon që nga edicioni i ardhshëm ta shtojë edhe në Propozicionet e Garave të Kupës së Kosovës.