Novak përgëzon FBK-në për organizim të shkëlqyeshëm të FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizionit C

  • Novak përgëzon FBK-në për organizim të shkëlqyeshëm të FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizionit C
31 Korrik 2018

Përfaqësuesja U18 e Kosovës të dielën është stolisur me titullin e kampionit në FIBA U18 Kampionatin Evropian, Divizioni C, dhe pas këtij suksesi madhështor, me ç’rast e ka fituar të drejtën të garoj në Divizionin B, në drejtim të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Përfaqësueses kanë arritur urime dhe përgëzime të shumta, ndërsa së fundi një urim shumë i rëndësishëm ka arritur nga FIBA Evropa, më saktësisht nga Drejtori Ekzekutiv i saj, Kamil Novak.

"Në emër të FIBA Evropës, unë dua t'ju falenderoj juve, anëtarët e Federatës dhe të gjithë vullnetarët për organizim të shkëlqyeshëm të FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C, që është mbajtur në Prishtinë prej 22 deri më 29 korrik.

Gjithashtu unë dua të përgëzoj Përfaqësuesen U18 të Kosovës, e cila arriti të stoliset me medaljen e artë në këtë garë.

Po ashtu më lejoni të falenderoj ish-presidentin e FBK-së, Erolld Belegu për mikpritje të ngrohtë gjatë qëndrimit tim në Kosovë dhe për aranzhimin e takimit me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Unë dua t'ju falenderoj edhe një herë për përpjekjet dhe angazhimin tuaj në zhvillimin e basketbollit në Evropë", ka shkruar Novak në letrën e tij drejtuar kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu dhe Sekretares së Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushku.