Përfaqësuesja U-16 sërish pësoi humbje krejt në fund të ndeshjes, kësaj radhe nga Maqedonia

  •  Përfaqësuesja U-16 sërish pësoi humbje krejt në fund të ndeshjes, kësaj radhe nga Maqedonia
11 Gusht 2017

Përfaqësuesja U-16 e Kosovës sërish ka pësuar humbje në fund të ndeshjes dhe sërish me rezultat të ngushtë 64:61 (12:12, 19:17, 18:16, 12:19). Kësaj radhe ishte Maqedonia, ajo skuadër që ishte më e mirë se Kosova.

Basketbollistët tanë ishin shumë pranë fitores, ashtu si në përballje me Portugalinë, por sërish ishte mungesa e përvojës në çastet vendimtare ajo e cila e bëri të veten dhe kështu Kosova U-16 e regjistroi disfatën e dytë radhazi në Kampionatin Evropian U-16, Divizioni B që ka filluar më 10 dhe do të përfundoj më 19 gusht në Sofje të Bullgarisë.

Prej fillimit të takimit e deri në fund është zhvilluar një rivalitet i madh në parket, derisa të përzgjedhurit e trajnerit Ibrahim Karabeg ndonëse e dhanë maksimumin në fushë, kjo nuk iu mjaftoi dhe kështu në fund u desh të pajtohen me disfatë, me vetëm 3 pikë epërsi nga maqedonasit.

Më i dalluari te Përfaqësuesja jonë ishte Erhan Sholla me 26 pikë e 8 kërcime, kurse te kundërshtari më efikasi ishte Andrej Jakimovski me 22 pikë e 11 kërcime.

Kosova U-16 të shtunën do të ballafaqohet me Luksemburgun, ndeshje kjo që do të luhet me fillim nga ora 12:45.