Rahoveci triumfoi ndaj Golden Eagle Yllit në derbin e xhiros së IX të IP Superligës

  • Rahoveci triumfoi ndaj Golden Eagle Yllit në derbin e xhiros së IX të IP Superligës
11 Nëntor 2017

Rahoveci ka triumfuar me rezultat 91:84 (26:16, 15:24, 23:21, 25:23) kundër Golden Eagle Yllit në ndeshjen më interesante të xhiros së IX në IP Superligën e Kosovës në basketboll.

Ndeshja është luajtur të shtunën në palestrën "Shani Nushi" në Gjakovë, në prani të rreth 1000 shikuesve, ndërsa të dyja skuadrat kanë luftuar nga minuta e parë e deri te e fundit për fitore, por që në dy minutat e fundit ishin "nikoqirët" ata që u treguan më të vëmendshëm dhe kështu ia dolën të regjistrojnë fitoren e dytë në këtë edicion kundër ekipit therandas.

Më të merituarit për triumfin e Rahovecit ishin Xavier Newson me 24 pikë, 9 kërcime e 2 asistime, Kylie Soviane me 23 pikë e 8 kërcime, Junius Powrell me 21 pikë e 3 asistime dhe Muhamed Hasani me 10 pikë, 5 kërcime e 5 asistime.

Në anën tjetër te Golden Eagle Ylli më efikasit ishin Michael Harmon me 26 pikë e 3 asistime, Taylor Bessick me 21 pikë e 10 kërcime dhe Artin Gashi me 18 pikë, 9 kërcime e 2 asistime.

Në kuadër të xhiros së IX të IP Superligës të shtunën janë luajtur edhe dy takime të tjera, Sigal Prishtina e ka mposhtur Pejën me shifrat 99:68 dhe Trepca ishte skuadër më e mirë se Kerasan Prishtina, të cilën e ka mundur me rezultat 105:71. Të premten është zhvilluar përballja në mes Bashkimit dhe Boreas, ku fituese ka dal skuadra nga Prizreni.