FBK 2015

Sigal Prishtina triumfoi ndaj Bashkimit

  • Sigal Prishtina triumfoi ndaj Bashkimit
19 Maj 2017

Sigal Prishtina e ka mposhtur për herë të dytë radhazi Bashkimin dhe atë vetëm brenda dy ditëve.

Bardhekaltrit të premten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë triumfuan ndaj portokallinjve me shifrat 81:65 (15:19, 21:13, 20:13, 25:20) në ndeshjen e tretë finale të play-off-it të Superligës së Kosovës në basketboll.

Në dy cerekët e parë është zhvilluar lojë e barabartë e këtë më së miri e dëshmon edhe rezultati pas pjesës së parë, 36:32. Ndërkaq në cerekun e tretë Sigal Prishtina fillon të shkëputet ngadalë në rezultat, por jo edhe aq shumë sa për të krijuar komoditet të mjaftueshëm. Edhe në dhjetëminutëshin e fundit ishin nikoqirët ata që e kontrolluan lojën, por që në këtë pjesë të lojës më mirë e menaxhuan rezultatin dhe kështu bënë që në fund ta mbyllin gjithë takimin me 16 pikë dallim.

Më të merituarit për fitoren e Sigal Prishtinës ishin Jabarie Hinds me 20 pikë, 3 kërcime e 7 asistime, Mike Moser me 16 pikë e 7 kërcime, Nenad Deliq me 12 pikë, 3 kërcime e 2 asistime, Willie Kemp me 10 pikë, 3 kërcime e 5 asistime dhe Fisnik Rugova me 10 pikë e 10 kërcime. 

Në anën tjetër te Bashkimi më efikasit ishin Kayel Locke me 22 pikë e 7 kërcime dhe Justin Black me 13 pikë, 5 kërcime e 2 asistime.

Ndeshja e katërt finale do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme në Prizren me fillim nga ora 19:00. Në rast se triumfon Sigal Prishtina, atëherë skuadra bardhekaltër do të shpallet kampione e Kosovës për edicionin 2016/17, por nëse fiton Bashkimi, atëherë dilema e fituesit të titullit mbetet të përcaktohet në ndeshjen e pestë finale, e cila është e planifikuar të luhet në kryeqytet. Kampione në fuqi është Sigal Prishtina.