Telegram ngushëllimi i kryetarit të FBK-së, Fetahu për familjen dhe bashkëpunëtorët e z. Fadil Vokrri

  • Telegram ngushëllimi i kryetarit të FBK-së, Fetahu për familjen dhe bashkëpunëtorët e z. Fadil Vokrri
9 Qershor 2018

E nderuara familje e z. FADIL VOKRRI!

Të nderuar drejtues e punëtorë të Federatës së Futbollit të Kosovës!

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ndihet thellësisht e tronditur dhe e shokuar nga ndarja e parakohshme nga jeta e mikut, dhe kolegut të saj, kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), z. Fadil Vokrri.

Në emër të Kryetarit të FBK-së z. Arben Fetahu, Sekretares së Përgjithshme të FBK-së, znj. Elvira Dushku, si edhe të gjithë anëtarëve të Bordit të FBK-së, komuniteti i basketbollit në Kosovë i përcjell ngushëllimet më të thella e më të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë, spordashësit dhe mbarë qytetarët e Kosovës për këtë ndarje tragjike e të parakohshme nga jeta të zotit Vokrri, që vuri gjithçka në dispozicion të rritjes dhe zhvillimit të futbollit në Kosovë.

Kontributi i z. Vokrri do të mbahet mend shumë gjatë për angazhimin e tij maksimal dhe gjithëpërfshirës në drejtim të ngritjes dhe përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës dhe futbollit të saj, në Evropë dhe në Botë.

Emri dhe vepra e tij i sollën shumë miq Kosovës, të cilët ia hapën dyert sportit, në veçanti lojës të cilës Vokrri ia kushtoi një jetë, futbollit.

Ndarja e tij e parakohshme nga jeta mbetet një humbje shumë e madhe jo vetëm për futbollin kosovar, por edhe për sportin kosovar në përgjithësi.

Lamtumirë miku ynë Fadil!

Prehu në paqe legjenda e sportit kosovar!

Me respekt, 

Arben Fetahu

Kryetar

Federata e Basketbollit të Kosovës