Z Mobile Prishtina mposhtet edhe si mysafire nga Pallacanestro Varese, përfundon garat në FIBA Europe Cup

  • Z Mobile Prishtina mposhtet edhe si mysafire nga Pallacanestro Varese, përfundon garat në FIBA Europe Cup
14 Mars 2019

Z Mobile Prishtina të mërkurën mbrëma është mposhtur edhe si mysafire nga Pallacanestro Varese dhe me këtë rast edhe i ka përfunduar garat në FIBA Europe Cup. Takimi i luajtur në Varese ka përfunduar me shifrat 100:84.

Më efikasit te Z Mobile Prishtina ishin Dardan Berisha me 24 pikë e 4 asistime, Divine Myles me 20 pikë e 4 asistime dhe Muhammed Bashir Ahmed me 11 pikë e 7 kërcime.

Te Pallacanestro Varese më të dalluarit ishin Aleksa Avramovic me 18 pikë, 4 kërcime e 7 asistime, Thomas Scrubb me 16 pikë, 4 kërcime e 4 asistime dhe Jean Salumu me 13 pikë e 4 asistime.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Z Mobile Prishtina i ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në rrugëtimin e kësaj skuadre në FIBA Europe Cup, e që ishte edhe suksesi më i madh historik në nivel të klubeve në basketbollin kosovar. Z Mobile Prishtina e ka siguruar një vend në TOP 16 të FIBA Europe Cup, ndërsa u eliminua nga Pallacanestro Varese nga Italia.

Postimi i plotë i Z Mobile Prishtinës në rrjete sociale:

“I përkulemi Plisave dhe gjithë shqiptarëve për përkrahjen që na dhanë gjatë gjithë këtij sezoni historik!

Ju falënderojmë nga zemra për gjithë çfarë keni bërë për neve, për kryeqytetin, për shqiptarët!

JU jeni arsyeja e ekzistencës sonë dhe motivi i punës sonë.

JU jeni arsyeja përse ne punojmë natë e ditë dhe luftojmë t’JU bëjmë krenarë sado që nuk është e lehtë në mesin e gjigantëve të kësaj gare.

JU na bëni të ndihemi si në shtëpi kudo që luajmë.

JU jeni zemra jonë, shpirti jonë, JU jeni burimi i gjithçkafit që lidhet me dashurinë tonë, PRISHTINËN.

Me kokën lart, me dinjitet e me mburrje përfundojmë këtë edicion historik në garat evropiane, për tu rikthyer shumë më fuqishëm në edicionin e radhës.

Keni merituar dhe do ta keni një Prishtinë edhe më të fortë. Tashmë përnjëmend të gjithë, i madh e i vogël, plis e plise, duhet të bëhen bashkë që t'i japim fuqi morale, organizative dhe financiare klubit tonë, sepse e pamë të gjithë që asgjë s'është e pamundur. Mund të shtyhemi edhe me kampionët e pesëfishtë evropian!

Ju faleminderit Plisa,

Ju faleminderit trajnerë e lojtarë për këto paraqitje,

Ju faleminderit sponzorë,

Ju faleminderit bashkëkombas kudo që erdhët të na përkrahni!“Rruga jonë, jo kurrë nuk ndalet...”