Bashkimi-Levski Lukoil, finalja e madhe e Ligës Ballkanike

  • Bashkimi-Levski Lukoil, finalja e madhe e Ligës Ballkanike
14 April 2018

Skuadra nga Prizreni, Bashkimi të shtunën në Samokov të Bullgarisë e ka siguruar një vend në finalen e madhe të Sigal Uniqa Ligës Ballkanike (BIBL). Dhe kjo është një e arritur e madhe, jo vetëm për klubin prizrenas që shkroi historinë duke u bërë pjesë e Final Four-it të BIBL pas tri vjet pjesëmarrje në këtë garë, por edhe për basketbollin kosovar në përgjithësi.

Bashkimi në gjysmëfinale ka triumfuar ndaj ekipit bullgar, Rilski Sportist në një finish mjaft dramatik me rezultat 72:71 (24:14, 10:21, 25:20, 13:16).

Më të dalluarit në radhët e skuadrës nga Prizreni ishin Aaron Moss me 19 pikë, 9 kërcime e 4 asistime, Vincent Zollo me 15 pikë e 9 kërcime, Mikaile Tmusic me 11 pikë e 4 kërcime dhe Eric Stutz me 13 pikë e 7 kërcime.

Në anën tjetër te Rilski Sportist më efikasit ishin Zlatin Georgiev me 18 pikë e 9 kërcime dhe Yordan Bozov me 17 pikë e 4 kërcime. 

Ndërkohë në gjysmëfinalen tjetër të luajtur po të shtunën, fitore ka regjistruar ekipi Levski Lukoil kundër Blokotehna-NB me shifrat 85:81.

Finalja e madhe e Ligës Ballkanike ndërmjet Bashkimit dhe Levski Lukoil do të zhvillohet të dielën, njëjtë sikur edhe ndeshja për vend të tretë.