Fetahu dhe Dushku, pjesëmarrës në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës

Fetahu dhe Dushku, pjesëmarrës në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës

14/05/2024

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, kanë marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës.

Asambleja e Përgjithshme e FIBA Evropës është mbajtur më 11 maj në Portoroz të Sllovenisë.

Asamblenë e Përgjithshme e ka kryesuar Presidenti i FIBA Europes, Jorge Garbajosa, ku ishin të pranishëm edhe Presidenti i FIBA-s, Sheikh Saud Ali Al Thani, Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis, Drejtori Ekzekutiv i FIBA-s për Evropë, Kamil Novak dhe anëtarët e Bordit të FIBA Europe, ku është edhe Kryetari i FBK-së.

Matjaz Han, Ministri slloven për Ekonominë, Turizmin dhe Sportin, i uroi mirëseardhjen delegatëve dhe shprehu krenarinë e tij, që organizimi po mbahet në Slloveni, një vend i apasionuar pas sportit dhe veçanërisht basketbollit.

Garbajosa i kushtoi vëmendje të veçantë përpjekjeve të FIBA Europe për të sjellë ide dhe inovacione të reja në basketboll, si për garat e klubeve ashtu edhe ato kombëtare, duke i dhënë ende prioritet programeve bazë dhe zhvillimit.

Në fjalimin e tij, Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Zagklis u ndal në pozicionin e lojës së basketbollit të Evropës në hartën e basketbollit botëror. Ai mori si shembull organizimin e Botërorit të vitit të kaluar. Ai gjithashtu përsëriti rëndësinë e strategjisë së FIBA-s dhe tre shtyllave të saj - Fuqizimi i Federatave Kombëtare, Gratë në Basketboll dhe Formimi i garave ndërkombëtare të klubeve - dhe synimet e zhvillimit të basketbollit të të rinjve; duke e bërë 3x3 sportin urban më emocionues; arritjen e përvojës në organizimin e garave të ekipeve kombëtare; qëndrueshmërinë dhe inovacionin.

Një sërë ndryshimesh në aktet nënligjore të FIBA Europe u miratuan nga Asambleja e Përgjithshme. Asambleja e Përgjithshme e FIBA Europe 2025 do të mbahet në Letoni, ndërsa sesioni i vitit 2026 do të organizohet nga Federata e Basketbollit të Islandës në Reykjavik.

Më 10 maj, Dushku ka marrë pjesë në takimin e Sekretarëve të Përgjithshëm të Federatave anëtare të FIBA Europe-s, që po ashtu u zhvillua në Slloveni, ku është diskutuar për tema të rëndësishme në basketbollin ndërkombëtar. Për ditëlindjen e saj, FIBA Evropa i ka bërë një befasi, Sekretares së Përgjithshme të FBK-së, duke ia festuar, pikërisht në mbledhjen e Sekretarëve të Përgjithshëm të Federatave anëtare të FIBA Europe-s. 

Mbledhja e katërt e Bordit të FIBA Europe, me mandat 2023-2027, është mbajtur të premten në Portoroz të Sllovenisë, ku mori pjesë edhe Fetahu.

Gjatë takimit u diskutuan tema të rëndësishme si EuroLiga e Femrave 2024-25, Garat e Klubeve 2023-24, Garat e Ekipeve Kombëtare, si dhe Bordi miratoi datat për raundin e dytë Parakualifikues të Kupës Botërore të Basketbollit FIBA 2027 në gusht 2025 (2, 6, 9, 13, 16 dhe 20 gusht). Mbledhja e radhës e Bordit do të mbahet në Stamboll, Turqi, më 28 nëntor 2024.

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Federation Sponsors

Media Partners

Official Partners