Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) organizoi një aktivitet të veçantë në Dragash, në kuadër të kampanjës ndërkombëtare të FIBA-s, “Her World, Her Rules” (HWHR), për të shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave. Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Dragashit, Policinë e Kosovës dhe shkollën “Ruzhdi Berisha,” duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe komunitar në promovimin e barazisë dhe sigurisë.
Ngjarja u realizua në ambientet e shkollës “Ruzhdi Berisha,” e cila luajti një rol kyç në organizimin dhe mikpritjen e pjesëmarrësve. Vajzat nën moshën 17 vjeç nga shkollat e mesme të Dragashit u mblodhën për të marrë pjesë në një stërvitje argëtuese dhe edukative, e cila promovoi rëndësinë e sportit si një mjet për bashkëpunim, disiplinë dhe fuqizim personal.
Ky aktivitet ofroi mundësinë që vajzat të zhvillojnë pasionin për basketbollin dhe në të njëjtën kohë, përcolli një mesazh të fuqishëm për ndërgjegjësimin ndaj dhunës ndaj grave dhe vajzave. Me përfshirjen e Komunës, Policisë dhe shkollës “Ruzhdi Berisha,” u krijua një mjedis i sigurt dhe mbështetës, ku vajzat mund të ndiheshin të fuqizuara dhe të motivuara për të përfituar nga vlerat e sportit.
Pjesëmarrëset u larguan të entuziazmuara dhe falënderuan organizatorët për krijimin e një atmosfere pozitive dhe edukative. Ky bashkëpunim mes FBK-së, institucioneve lokale dhe shkollës së komunitetit është një shembull frymëzues se si sporti mund të kontribuoni në ndërtimin e një shoqërie më të barabartë dhe të drejtë.