Granit Rugova, Drejtor i Programeve dhe Projekteve Zhvillimore në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka marrë pjesë në Punëtorinë për JR NBA, që është organizuar në Paris.
Punëtoria është organizuar më 24-25 janar, ku kanë marrë pjesë përfaqësues nga shumë vende evropiane, derisa Rugova është deleguar nga FBK.
Ky aktivitet ka ofruar mundësi për të mësuar, rrjetëzuar dhe për të përjetuar basketbollin në një mënyrë unike dhe frymëzuese.
“Pjesëmarrja ime në Punëtorinë e JR NBA në Paris na bashkoi me përfaqësues nga vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë, për të diskutuar rreth fuqizimit të ligës JR NBA, veçanërisht në Evropë. Temat kryesore përfshinë strategjitë për përmirësimin e promovimit në rrjetet sociale, minimizimin e sfidave dhe identifikimin e praktikave më të mira për organizimin sa më efektiv të programit JR NBA”, ka thënë Rugova për uebfaqen e FBK-së.
Ai ka ndarë edhe përvojën e fituar nga kjo ngjarje. “Punëtoria përfshiu prezantime nga ekspertë të ndryshëm, të cilët ndanë qasje të vlefshme për të zgjeruar ndikimin dhe arritjet e ligës. Gjithashtu, pjesëmarrësit patën privilegjin të ishin të pranishëm në ndeshjen e NBA-së ndërmjet Indiana Pacers dhe San Antonio Spurs, duke shtuar një përvojë unike dhe frymëzuese në këtë aktivitet”, shtoi tutje Drejtor i Programeve dhe Projekteve Zhvillimore në FBK.
“Gjatë Punëtorisë pata mundësinë të njoftoj zyrtarët e JR NBA për Evropën dhe të krijoj kontakte me përfaqësues nga vende të ndryshme, duke shkëmbyer ide dhe përvoja që do të kontribuojnë në përmirësimin e nismave të JR NBA në Kosovë dhe më gjerë”, ka përfunduar Granit Rugova.
Kosova për vitin e tretë radhazi është pjesë e këtij projekti, derisa më herët pjesë e Punëtorisë kanë qenë Arben Krasniqi, si Drejtor Teknik i FBK-së dhe Adriatik Rraci, Drejtor i Përfaqësueseve të Kosovës dhe Zëvendës Sekretari i FBK-së.