Komiteti Olimpik i Kosovës kujton kontribuuesit nga basketbolli

Komiteti Olimpik i Kosovës kujton kontribuuesit nga basketbolli

09/02/2025

Të premten Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka mbajtur Asamblenë e Punës dhe Zgjedhore.

Në këtë mbrëmje janë përkujtuar edhe kontribuuesit nga sporti i Kosovës, mes tyre edhe nga basketbolli, që ndërruan jetë më 2024.

Nga basketbolli janë përkujtuar Nexhdet Hoxha, Ergin Sherifi, Tyrhan Kosova, Shirin Hyseini dhe Shaban Miftari.

Nexhdet Hoxha ka qenë gjyqtar i basketbollit dhe vëzhgues për vite të tëra. Ka gjykuar ndeshje të ligës së Beogradit, kurse pasi ka fituar thirrjen e Gjyqtarit Republikan edhe ndeshje të Ligës së Serbisë, të grupmoshave të ndryshme. Me tu kthyer në Kosovë, në vitet e 80-ta për një kohë ka gjykuar edhe ndeshje të Ligës së Kosovës. Që nga sezoni 2005/06 ka qenë vazhdimisht delegat i ndeshjeve të Superligës, ndeshje finale të play-offit, Kupës, turneve ndërkombëtarë në Kosovë dhe ngjarjeve tjera të rëndësishme. Hoxha, së bashku me Lulzim Malokun, kanë qenë delegatët e parë kosovarë të Ligës Ballkanike BIBL, garës së parë ndërkombëtare ku kanë marrë pjesë klubet e Kosovës. Gjithashtu ka qenë vëzhgues në Ligën Trocal, si dhe anëtar i Bordit të Shoqatës së Gjyqtarëve. Po ashtu ishte delegat i FBK-së.

Ergin Sherifi ka qenë basketbollist i Dritës nga viti 1975 deri në vitin 1982.

Më pas në kohët e vështira ishte edhe gjyqtar nga viti 1986 deri më 1990 dhe njihej si një gjyqtar me respekt të jashtëzakonshëm. Po ashtu ishte edhe trajner i basketbollit, nga viti 1991 deri më 1998, kurse në edicionin 1996-97, e kishte shpallur Dritën kampion të Kosovës. Ergini pasluftës rikthehet sërish si gjyqtar në basketbollin e Kosovës, nga 1999 deri më 2014, kurse më pas ishte vëzhgues. Për kontributin e tij, FBK e kishte nderuar me mirënjohje.

Tyrhan Kosova ka dhënë kontribut në basketboll, si ish-basketbollist i dalluar i Bashkimit, kurse së fundmi ishte edhe kryetar i KB Bashkimi në vitin 2022.

Ndarja nga jeta në moshën 62 vjeçare na ka pikëlluar të gjithëve, por Kosova do të mbahet mend si punëtor shumë i dalluar dhe shembull për të gjithë ne.

Shirin Hyseini ishte Kryetare e KB Universiteti Femrat, në kohët e arta të klubit prishtinas, por edhe basketbollit të Kosovës në konkurrencën e femrave, duke arritur suksese të mëdha.

Shirin Hyseini ishte e nderuar dhe e respektuar nga të gjithë, andaj do ta kujtojmë gjithmonë kështu.

Shaban Miftari ishte kryetarit shumëvjeçar i Klubit Basketbollit Trepça. Kontributi i tij ishte i jashtëzakonshëm në klubin mitrovicas, por edhe basketbollin e Kosovës.

Ai ishte shembull dhe motiv i madh për gjeneratat e reja, e kështu do të mbahet mend gjithmonë. Miftari kishte respekt të madh nga të gjithë, andaj ndarja nga jeta e tij na ka pikëlluar të gjithëve.

Supported by

Official General Sponsor of the Kosovo National Teams

Official General Sponsor of the Men's Superliga

Official Statistics Sponsor

Golden Sponsors

Silver Sponsors

Automotive Sponsor of Kosovo Basketball Federation

Youth Basketball Supporters