Në dramën e zhvilluar në Gjakovë, Vëllaznimi fitoi ndaj Borës pas vazhdimeve me rezultat 87:78 (20:21, 15:21, 23:12, 18:22, 11:2), në përballjen e zhvilluar në javën e 26-të të ProCredit Superligës.
Sfidën më mirë e nisën mysafirët, që në çerekun e parë kishin epërsi deri në nëntë pikë, 10:19, derisa kuqezinjtë u rikthyen shpejt, ku kjo pjesë përfundoi 20:21. Prishtinasit sërish kishin epërsi në periudhën e dytë, që e fituan 15:21, për të shkuar në pushim me shifrat 35:42.
Vendasit që ditë më parë fituan Ligën Unike, u rikthyen fuqishëm në periodën e tretë, duke bërë përmbysjen, ku shifrat pas 30 minutash ishin 58:54. Në dhjetëminutëshin e katërt, drama vazhdoi deri në sekondat e fundit, me mysafirët që rikthyen epërsinë, dhe drama vazhdoi deri në fund, ku Jericole Hellems me dy gjuajtje të lira, tre sekonda nga fundi barazoi shifrat në 76:76 për ta dërguar sfidën në vazhdime.
E, në vazhdime, kuqezinjtë ishin bindshëm më të mirë, 11:2, për të triumfuar 87:78.
Paraqitje të jashtëzakonshme regjistroi Jericole Hellems me 42 pikë për vendasit, duke u ndihmuar nga Don Polloshka me 17 pikë e nëntë kërcime dhe Jason Jitoboh me 16 pikë e shtatë kërcime, kurse te mysafirët, Musab Mala shënoi 21 pikë.
Pas 26 ndeshjeve, Vëllaznimi ka 13 fitore e 13 humbje, derisa Bora është në vendin e shtatë me tetë fitore e 18 humbje.