Flutra Mehmeti po ndjek ëndrrën – drejt kolegjit, karrierës në SHBA, por gjithmonë krenare për Kosovën
Pas përfundimit të Superligës Femrat, një prej basketbollisteve të reja më premtuese të Kosovës ka marrë oferta të ndryshme nga kolegje në SHBA, duke shënuar një hap të madh në karrierën e saj. Ajo tregon se ky moment e ka bërë të kuptojë realisht mundësinë që i është hapur në Amerikë.
Ajo ështe bashkuar me Indepenc Community Colleg.
Flutra Mehmeti është shprehur për Federatën e Basketbollit të Kosovës se “Familja ime ka qenë përkrahja më e madhe në këtë rrugëtim. Kanë qenë gjithmonë pranë meje, si në Kosovë ashtu edhe në Amerikë,” tha ajo me emocion.
Basketbollistja ka qenë pjesë e dy klubeve të njohura në Kosovë – KBF Prishtina dhe Vushtrria Basket – ku ka kaluar një periudhë të rëndësishme zhvillimi dhe përgatitjeje. Me këto ekipe ka fituar përvojë të vlefshme dhe ka krijuar lidhje të forta me bashkëlojtarët.
Largimi nga Kosova nuk ka qenë i lehtë, por ajo beson se ka marrë vendimin e duhur për të ardhmen e saj profesionale. “Është shumë e vështirë të pajtohesh me faktin që duhet të largohesh nga vendi dhe të lësh ekipin pas, por mendoj që ka qenë vendimi i duhur për karrierën time.”
Ajo nuk ka pasur ende shumë përjetime të drejtpërdrejta me ekipin e ri, por thotë se përmes rrjeteve sociale ka krijuar marrëdhënie të mira me bashkëlojtarët. Sipas saj, dallimi mes Kosovës dhe SHBA-së ndjehet sidomos në aspektin profesional dhe kushtet që ofrohen, por thekson se edhe në Kosovë punohet shumë dhe ka përkushtim.
“Çka do të më mungojë më së shumti në Kosovë është familja, shoqëria, organizimet me ekipin e Superligës dhe stërvitjet me vajzat e klubit të Prishtinës, ku kam kaluar dy vite të bukura.”
Ajo nuk e ndalon me kaq – pas përfundimit të studimeve dyvjeçare, synimi i saj është një kolegj katërvjeçar dhe më pas të vazhdojë karrierën në Evropë.
“Ëndrra ime është e qartë. Ky është një hap i madh, jo vetëm për mua, por për të gjitha vajzat që synojnë Amerikën përmes kolegjit.”
Në fund, ajo ka një mesazh të fuqishëm për të gjitha vajzat e reja që ndjekin ëndrrën e saj:
“Punoni shumë, krijoni një rutinë dhe disiplinë për veten, mos u dorëzoni. Edhe për mua nuk ka qenë aspak e lehtë, por gjithçka në jetë ndodh për një arsye.”
E pyetur për Kombëtaren e Kosovës, përgjigjja e saj ishte e qartë dhe e prerë:
“Për Kombëtaren do të jem gjithmonë aty, deri në frymën e fundit.”