Trepça është skuadra e parë finaliste e “Play-off”-it të ProCredit Superligës.
Mitrovicasit fituan në kryeqytet ndaj Sigal Prishtinës 80:84 (18:29, 27:19, 9:10, 26:26) dhe me serinë 3:1 në gjysmëfinale u kualifikuan në finale.
Sfida në Prishtina ka qenë e jashtëzakonshme, me atmosferë të bukur sportive dhe në parket, që u vendos në fund.
Ndeshja nisi shumë më mirë për mysafirët, që e fituan çerekun e parë 18:29, derisa u kundërpërgjigjën vendasit në periudhën e dytë, 27:19, për të shkuar në pushim me shifrat 45:48.
Lojë interesante ishte në pjesën e dytë dhe e luftuar, por mitrovicasit u shkëputën në fund dhe përkundër tentimeve nga bardhekaltrit, Trepça fitoi 80:84.
Te Sigal Prishtina u dallua Rashid Mahalbashiq me 11 pikë e tetë kërcime, ndërsa te Trepça u dalluan Michael Myers me 17 pikë e 15 kërcime dhe Tekele Cotton me 18 pikë, shtatë kërcime e shtatë asistime.
Trepça në finale e pret fituesin nga gjysmëfinalja tjetër Peja-Bashkimi.
Rezultati momental është 2:1 për prizrenasit, derisa të enjten zhvillohet ndeshja e katërt gjysmëfinale. Skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale.