Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) do të marrë pjesë në Kongresin e FIBA Botës që do të mbahet më 16-17 maj 2025 në Manama, Bahrejn. Delegacioni i FBK-së do të përfaqësohet nga Kryetari i Federatës, Arben Fetahu, dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku.
Në kuadër të këtij Kongresi të rëndësishëm, Federata e Basketbollit të Kosovës është ftuar nga FIBA për të prezantuar rrëfimin e saj të suksesit në zbatimin e Planit Strategjik 2021–2025, të hartuar dhe zbatuar në bashkëpunim me programin FIBA Plus.
Kjo ftesë për të prezantuar para gjithë federatave anëtare të FIBA-s përfaqëson një njohje të jashtëzakonshme për përparimin e FBK-së dhe një vlerësim për rrugëtimin transformues të basketbollit në Kosovë.
Në prezantimin që do të bëhet më 17 maj nga Kryetari Fetahu do të theksohen arritjet më të rëndësishme të periudhës 2021–2025, përfshirë rritjen e qeverisjes profesionale, zhvillimin e basketbollit të femrave, rritjen e pjesëmarrjes në nivel të gjerë dhe fuqizimin e klubeve.
Deklaratë nga Sekretarja e Përgjithshme, znj. Elvira Dushku:
“Për ne si Federatë, ftesa për të ndarë rrëfimin tonë të suksesit në Kongresin e FIBA-s nuk është vetëm një privilegj, por edhe një obligim për të treguar që edhe një shtet i vogël mund të arrijë gjëra të mëdha përmes vizionit, punës së përkushtuar dhe partneriteteve të duhura. Kjo është një arritje për të gjithë komunitetin e basketbollit në Kosovë, nga fëmijët në shkolla, tek trajnerët, klubet, dhe institucionet që kanë qëndruar pranë nesh në këtë rrugëtim. Jemi të vendosur që me Planin e ri Strategjik 2026–2030 të ndërtojmë mbi këto suksese dhe të vendosim standarde edhe më të larta.”
Kongresi i FIBA Botës është një ngjarje madhore në kalendarin ndërkombëtar të basketbollit, që sjell së bashku përfaqësues nga të gjitha federatat anëtare të FIBA-s.
Gjatë këtij eventi, diskutohet për progresin dhe objektivat strategjike të basketbollit në nivel global, duke ofruar gjithashtu mundësi për ndarjen e përvojave dhe praktikave më të mira.
Pjesëmarrja e FBK-së me një prezantim të suksesshëm në këtë forum ndërkombëtar është një dëshmi e qartë e reputacionit në rritje të Kosovës në arenën ndërkombëtare të basketbollit dhe e përkushtimit të saj për zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të sportit.