Për dy ditë radhazi në fundjavë, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka organizuar me sukses turneun ndërkombëtar në 3x3, FIBA 3x3 Europe Cup Qualifier.
Në këtë garë kanë marrë pjesë gjashtë shtete: Kosova, Shqipëria, Qipro, Malta, Azerbajxhani dhe Malta, ku vetëm Shqipëria është paraqitur te meshkujt, derisa shtetet tjera në të dyja konkurrencat.
Turneu i spektaklit u zhvillua në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku tifozët për dy ditë radhazi kishin mundësi të shohin basketboll të bukur 3x3, muzikë dhe lojëra shpërblyese.
Ditën e parë janë zhvilluar ndeshjet në grupe, derisa të dielën gjysmëfinalet dhe finalet në të dyja konkurrencat.
Kosova femra pësoi nga Azerbajxhani 22:10, derisa te meshkujt Dardanët fituan ndaj Maltës 22:14 dhe Azerbajxhanit 21:18.
Si femrat, ashtu edhe meshkujt u kualifikuan në gjysmëfinale.
Dardanet pësuan nga Qipro 21:11, ndërsa Dardanët pësuan nga Irlanda 21:12.
Në finale te femrat u përballën Qipro dhe Azerbajxhani, ku Azerbajxhani fitoi 21:18, ndërsa te meshkujt fitoi Irlanda 21:19 ndaj Qipros.
Fituesit u kualifikuan në turneun e Europe Cup në Danimarkë në shtator të këtij viti.
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ka ndarë çmimin MVP te femrat që i takoi Brianna Fraser të Azerbajxhanit dhe çmimin për fituesin e turneut te femrat.
Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu ka ndarë çmimin MVP për Jordan Blount të Irlandës, ashtu si edhe çmimin për fituesin te meshkujt.