21/10/2025
Java e dytë e ProCredit Superligës solli shumë sfida interesante.
GO+ Peja fitoi në derbin e javës ndaj Golden Eagle Yllit, ku Alan Herndon kishte dyshifror të dyfishtë me 13 pikë e dhjetë kërcime, duke pasur indeksin 21, apo më të lartin në këtë sfidë. Alan shpallet MVP i javës së dytë.
Ai u ndihmua nga Malcolm Armstead me 18 pikë, tri kërcime e shtatë asistime.
Batin Tuna u dallua te Trepça në fitoren e lartë ndaj Vëllaznimit me 24 pikë, dhjetë kërcime e gjashtë asistime.
Arian Azemi ishte më i miri te Sigal Prishtina në fitoren ndaj Borës me 19 pikë, pesë kërcime e nëntë asistime.
Lejson Zeqiri ishte më meritori për fitoren e Bashkimit ndaj Rahoveci 029. Zeqiri shënoi pesë pikë në fund të ndeshjes, derisa e mbylli ndeshjen me 17 pikë, dhjetë kërcime e një asistim.