24/11/2025
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) njofton me krenari se, gjatë verës së ardhshme, dy kampionate shumë të rëndësishme do të mbahen në qytetin e Pejës.
Për herë të dytë në Kosovë dhe për herë të parë në Pejë do të mbahet FIBA Women’s European Championship për Shtetet e Vogla dhe FIBA U18 Women's EuroBasket, Divizioni C.
Gara e parë do të mbahet nga 23 deri më 28 qershor 2026, kurse gara e dytë zhvillohet nga 21 deri më 26 korrik 2026.
Kështu ka vendosur Bordi i FIBA Evropës në takimin e rregullt të mbajtur Bukuresht të Rumanisë, ku pjesë e Bordit është edhe Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu.
FIBA i beson Kosovës dy kampionate shumë të rëndësishme evropiane për verën e ardhshme, derisa Dardanet do të japin çmos nga vetja e tyre për një përfaqësim sa më të mirë në garat ndërkombëtare.
FIBA Women’s European Championship për Shtetet e Vogla për herë të parë ishte mbajtur në Prishtinë më 2024, ashtu si edhe FIBA U18 Women's EuroBasket, Divizioni C, ku vajzat e reja të Kosovës triumfuan me vendin e parë.
Në Pejë gjatë kësaj vere u organizua FIBA U16 Women's EuroBasket, Divizioni C, ku morën pjesë tetë shtete.
FBK ka përvojë në organizimin e shumë garave ndërkombëtare, duke marrë lëvdata nga FIBA për organizimin e shkëlqyeshëm.