05/12/2025
ProCredit Superliga sa vjen e bëhet më interesante. Në xhiron e nëntë që zhvillohet në fundjavë do të zhvillohen shumë sfida interesante.
Përballja e parë do të zhvillohet ndërmjet Rahoveci 029 dhe Bashkimit, që në mesjavë pësuan humbje. ‘Vreshtarët’ kanë tri fitore e pesë humbje, kurse prizrenasit pas shtatë fitoreve radhazi, pësuan nga Vëllaznimi.
Derbi prishtinas zhvillohet të shtunën mes Borës dhe Sigal Prishtinës, por kjo sfidë do të zhvillohet në Mitrovicë. Bora numëron dy fitore e pesë humbje, derisa bardhekaltrit katër fitore e katër humbje.
Trepça dhe Vëllaznimi do të përballen të dielën në Gjakovë, ku luajnë vetëm për fitore, pasi në mesjavë shënuan fitore shumë të rëndësishme. ‘Xehetarët’ kanë pesë fitore e dy humbje, kurse kuqezinjtë dy fitore e gjashtë humbje.
Java e nëntë do të mbyllet me derbin verdhezi ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe GO+ Pejës, takim që zhvillohet në ‘Karagaçi’. Therandasit kanë dy fitore e gjashtë humbje, ndërsa pejanët gjashtë fitore e dy humbje.
ProCredit Superliga-Java 9
E shtunë
17:00 Rahoveci 029-Bashkimi
19:30 Bora-Sigal Prishtina
E diel
17:00 Trepça-Vëllaznimi
19:30 Golden Eagle Ylli-GO+Peja