2025 - Konsolidim, rritje dhe inovacion në basketbollin e Kosovës

2025 - Konsolidim, rritje dhe inovacion në basketbollin e Kosovës

30/12/2025

Viti 2025 ka qenë një nga vitet më aktive dhe më të suksesshme për Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), si në organizimin e garave vendore, ashtu edhe në përfaqësimin ndërkombëtar dhe zhvillimin e basketbollit në të gjitha nivelet.

Ky vit shënoi gjithashtu përmbylljen e ciklit të parë strategjik të FBK-së (2021-2025), duke krijuar bazë të qëndrueshme institucionale për fazën e re zhvillimore 2026–2030. Fokus i veçantë iu kushtua konsolidimit të strukturave organizative, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe rritjes së prezencës ndërkombëtare të Federatës.

Gjatë vitit 2025, FBK vazhdoi traditën e organizimit të suksesshëm të garave, programeve zhvillimore dhe eventeve ndërkombëtare, duke forcuar rolin e saj si një nga organizatat sportive lidere në vend dhe rajon.

Garat vendore – dominim dhe organizim i suksesshëm

Gjatë vitit 2025, FBK organizoi dhe menaxhoi me sukses 21 gara vendore, nga kategoritë e reja U12 e deri te Liga e Veteranëve.

Në ProCredit Superligë, edicioni u karakterizua nga rivaliteti dhe cilësia e lartë, duke kulmuar me “Play-off”-in e zjarrtë. Trepça arriti një sukses të jashtëzakonshëm, duke fituar Superkupën, Kupën dhe titullin e kampionit, duke kompletuar një sezon dominues.

Në konkurrencën e femrave, Bashkimi fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës, ndërsa Superkupa u fitua nga Peja 03.

Përfaqësimi ndërkombëtar i klubeve

Klubet kosovare vazhduan të përfaqësojnë me dinjitet basketbollin e Kosovës në arenën evropiane.

Trepça dhe Bashkimi morën pjesë në Basketball Champions League, përkatësisht, FIBA Europe Cup, ndërsa Bashkimi u paraqit denjësisht, ndonëse nuk arriti kalimin nga faza e grupeve të FIBA Europe Cup.

Një moment i veçantë u shënua nga Peja 03, që regjistroi fitoren e parë historike në fazën e grupeve të FIBA Women’s EuroCup, në pjesëmarrjen e saj debutuese.

Ndërkohë, Sigal Prishtina dhe Peja vazhduan pjesëmarrjen e tyre në Ligën ENBL.

Liga Unike - triumfe dhe rritje rajonale

Liga Unike vazhdoi zhvillimin për të dyja konkurrencat, meshkuj dhe femra.

Në edicionin 2025, Vëllaznimi i Gjakovës fitoi titullin në konkurrencën e meshkujve, duke shënuar sukses të rëndësishëm për klubin, ndërsa në konkurrencën e femrave triumfoi Flamurtari i Vlorës, pas fitores në finale ndaj Peja 03.

Kombëtaret - stabilitet dhe progres i vazhdueshëm

Përfaqësueset e Kosovës vazhduan pjesëmarrjen aktive në garat evropiane nga grupmoshat U14 e deri te Kombëtarja A.

Gjatë vitit 2025, Kosova ishte e përfaqësuar me tetë përfaqësuese kombëtare në gara zyrtare ndërkombëtare, duke përfshirë të gjitha grupmoshat dhe duke reflektuar stabilitet dhe vazhdimësi në sistemin e përfaqësimit.

Sukses i veçantë u regjistrua nga Kosova U20 (meshkuj), që u rendit e teta në Kampionatin Evropian, Divizioni B, duke shënuar tri fitore radhazi në fazën e grupeve ndaj Shqipërisë, Suedisë dhe Hungarisë.

Kombëtarja A zhvilloi ndeshje kualifikuese ndaj Azerbajxhanit dhe Zvicrës, ndërsa viti u mbyll me fitoren ndaj Shqipërisë në kuadër të parakualifikimeve për FIBA EuroBasket 2029.

Programet zhvillimore dhe edukative

FBK vazhdoi me sukses implementimin e projekteve zhvillimore me fokus të veçantë te të rinjtë, edukimi sportiv dhe përfshirja sociale.

Ndër projektet dhe programet kryesore gjatë vitit 2025 ishin:

• Basketbolli 3x3 në shkolla

• Her World, Her Rules

• Alley Oop 3x3

• Safeguarding the Future (lansimi i Politikave të Mbrojtjes në basketboll)

• JR NBA Kosova

Zhvillimi i basketbollit për vajza dhe gra mbeti një nga prioritetet strategjike të FBK-së, duke u reflektuar në organizimin e FIBA Kampionatit Evropian U16 të Femrave, pjesëmarrjen historike të Peja 03 në FIBA EuroCup Women dhe rritjen e përfshirjes së vajzave në programet grassroots.

Gjatë vitit u organizuan gjithashtu seminare, klinika dhe trajnime për trajnerë dhe gjyqtarë, me synim ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e cilësisë së garave.

Evente ndërkombëtare në Kosovë - besim dhe reputacion

FIBA dhe FIBA Europe vazhduan t’i besojnë FBK-së organizimin e ngjarjeve të rëndësishme evropiane, duke konfirmuar rritjen e reputacionit institucional të Federatës.

Gjatë verës, Kosova ishte nikoqire e FIBA 3x3 Europe Cup Qualifier, me pjesëmarrjen e 11 shteteve, ndërsa për herë të parë në Pejë u organizua FIBA Kampionati Evropian U16 i Femrave, Divizioni C.

Po ashtu, për herë të parë në Kosovë u mbajtën:

• Takimi i Komisionit të të Rinjve të FIBA Europe, me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë të basketbollit evropian;

• FIBA Europe U14 Get Together, që mblodhi 60 trajnerë nga e gjithë Evropa.

FBK mbështeti gjithashtu organizimin e FIBA 3x3 Challenger Prishtina 2025.

Organizimi i këtyre ngjarjeve konfirmoi besimin e plotë të FIBA dhe FIBA Europe ndaj kapaciteteve organizative të FBK-së, duke e pozicionuar Kosovën si një nga federatat më të besueshme në rajon.

Basketbolli 3.0 & Podcast-i Zyrtar i FBK-së

Viti 2025 shënoi një hap të rëndësishëm në komunikimin institucional të Federatës së Basketbollit të Kosovës me lansimin e identitetit të ri “Basketbolli 3.0”, një qasje moderne që synon transparencë, inovacion dhe afrimin e basketbollit me komunitetin.

Në kuadër të këtij identiteti, FBK lansoi Podcast-in zyrtar, duke u bërë organizata e parë sportive në Kosovë që krijon dhe transmeton një podcast institucional në baza të rregullta.

Podcast-i transmetohet një herë në muaj dhe trajton tema që lidhen me:

• zhvillimin e basketbollit në Kosovë,

• garat vendore dhe ndërkombëtare,

• punën dhe vendimmarrjen e federatës,

• historitë e sportistëve, trajnerëve dhe zyrtarëve sportivë.

Ky format i ri komunikimi është konceptuar si pjesë e qasjes strategjike afatgjate të FBK-së për periudhën 2026–2030, me synim rritjen e transparencës, forcimin e dialogut me komunitetin dhe vendosjen e standardeve të reja në komunikimin sportiv në Kosovë.

“Lansimi i Podcast-it zyrtar të FBK-së është një hap i rëndësishëm drejt transparencës dhe komunikimit të hapur me komunitetin e basketbollit. Si organizata e parë sportive në Kosovë që ndërton një platformë të tillë institucionale, ne synojmë të ndajmë më afër punën tonë, sfidat dhe vizionin për zhvillimin e basketbollit në të gjitha nivelet”.

Elvira Dushku, Sekretarja e Përgjithshme, Federata e Basketbollit e Kosovës

 

Dardan Berisha dhe Malvina Haziri, yjet e basketbollit të Kosovës

 

Federata e Basketbollit e Kosovës në një Mbrëmje Gala zgjodhi më të mirët e basketbollit të Kosovës për vitin që po e lëmë pas, duke përmbyllur një edicion të suksesshëm për basketbollin e Kosovës.

Çmimet

Më i miri i vitit: Dardan Berisha

Më e mira e Vitit: Malvina Haziri

Top 5 te meshkujt: Dardan Berisha, Mikaile Tmusiq, Valon Bunjaku, Don Polloshka dhe Dardan Kapiti

Top 5 te femrat: Malvina Haziri, Aulona Muhadri, Enisa Kamerolli, Agnesa Rrahmani dhe Melisa Bilalli

Klubi më i mirë te meshkujt: Trepça

Klubi më i mirë te femrat: Bashkimi

Trajneri i Vitit: Bujar Loci

Shpresa e Vitit 2025 te djemtë: Besim Bytyqi i Bashkimit Shpresa e Vitit 2025 te femrat: Elsa Shala e KBF Peja 03

Gjyqtari i Vitit: Amar Gjekoviq

Punëtori më i dalluar i vitit: Rrahman Përteshi nga KBF Bashkimi

Ambasador i basketbollit të Kosovës jashtë vendit: Andin Rashica

Veterani i Vitit: Valdet Spahija

Veterania e Vitit: Shemsije Stubllën

Kontribuues i basketbollit për vitin 2025: Mazllom Jevriqi i Pejës

Çmimi i Art Motion nga publiku: Mikaile Tmusiqi i Trepçës

Çmimi i Kujtesës nga publiku te femrat: Agnesa Rrahmani e Prishtinës

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Media Partners

Federation Sponsors

Official Technical Partner

Official Partners