06/02/2026
Sfida e parë e javës së 19-të do të zhvillohet ndërmjet Borës dhe Trepçës, dy skuadra që po përballen edhe në gjysmëfinalet e Kupës, derisa në elitë janë në formë të lartë. Prishtinasit kanë nëntë fitore e nëntë humbje, duke pësuar vetëm një humbje në vitin 2026 në garat e elitës, ndërsa mitrovicasit janë në vendin e parë me 15 fitore e tri humbje, ndërkohë që kanë dhjetë fitore radhazi.
Interesant pritet të jetë përballja mes Golden Eagle Yllit dhe Bashkimit, skuadrat rivale, që synojnë fitoren në këtë përballje. Therandasit kanë tetë fitore e dhjetë humbje, kurse prizrenasit 12 fitore e gjashtë humbje.
Të dielën do të zhvillohet derbi ndërmjet rivalëve të vjetër të basketbollit të Kosovës, Sigal Prishtinës dhe GO+ Pejës, edhe pse dy skuadrat nuk janë në formën optimale. Sidoqoftë, takimet ndërmjet këtyre dy skuadrave kanë qenë gjithmonë interesante, e kështu pritet edhe të dielën në kryeqytet. Bardhekaltrit kanë tetë fitore e dhjetë humbje, kurse verdhezinjtë nëntë fitore e nëntë humbje.
Takim shumë i rëndësishëm do të zhvillohet të dielën në mbrëmje mes dy skuadrave momentalisht në fund të renditjes Rahoveci 029 dhe Vëllaznimit. Kjo sfidë është jetike për dy skuadrat që synojnë fitoren. ‘Vreshtarët’ janë në vendin e tetë me pesë fitore e 13 humbje, kurse kuqezinjtë në vendin e shtatë me gjashtë fitore e 12 humbje.
ProCredit Superliga - Java 19
E shtunë
17:00 Bora - Trepça
19:30 Golden Eagle Ylli - Bashkimi
E diel
17:00 Sigal Prishtina - GO+ Peja
19:30 Rahoveci 029 - Vëllaznimi