Superkupa Mbarëkombëtare do të zhvillohet javën e ardhshme në të dyja konkurrencat. Në Superkupën Mbarëkombëtare do të garojnë kampionët dhe fituesit e Kupave, nga Kosova dhe Shqipëria.
Superkupa Mbarëkombëtare organizohet nga Liga Unike, në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit e Kosovës dhe Federatën Shqiptare të Basketbollit, si dhe klubet organizatore, Flamurtari nga Vlora (F) dhe Vllaznia e Shkodrës (M).
Më 13 dhe 14 Tetor do të zhvillohet Superkupa Mbarëkombëtare te femrat. Më 13 Tetor përballen dy skuadrat nga kryeqytet përkatëse, Partizani i Tiranës dhe Prishtinës. Skuadra prishtinase është fituese e Kupës në Kosovë.
Ndërkohë, gjysmëfinalja tjetër zhvillohet ndërmjet Flamurtarit dhe Penzës. Skuadra nga Vlora së fundi fitoi Kupën e Federatës në Shqipëri, ndërsa skuadra pejane, së fundi fitoi Superkupën në Kosovë, derisa është edhe kampione në Kosovë. Finalja zhvillohet më 14 Tetor nga ora 19:00.
Ndërkohë, më 16 dhe 17 Tetor do të zhvillohet Superkupa Mbarëkombëtare te meshkujt në Shkodër.
Në gjysmëfinalen e parë përballen Vllaznia e Shkodrës dhe skuadra e Sigal Prishtinës, që është më e trofeshme në Kosovë, ndërsa edicionin e kaluar kishte fituar Kupën në Kosovë.
Gjysmëfinalja tjetër pritet të jetë shumë interesante mes Teutës nga Durrësi dhe Golden Eagle Ylli nga Theranda.
Skuadra durrësake është kampione dhe fituese e Kupës në Shqipëri, ndërsa Ylli ka fituar titullin në Kosovë dhe është kampion i Ligës Unike. Finalja zhvillohet më 17 Tetor nga ora 20:00.
Liga Unike në edicionin e ri pritet të jetë shumë interesante, ku te meshkujt garojnë katër skuadra nga Kosova dhe Shqipëria, si dhe tri skuadrat më të mira nga Kosova dhe tri më të mirat nga Shqipëria te femrat.
Liga Unike është themeluar nga Federata e Basketbollit e Kosovës dhe Federata e Basketbollit e Shqipërisë.
Orari
Femrat
13 Tetor
16:00 Partizani - Prishtina
19:00 Flamurtari - Penza
14 Tetor
19:00 Finalja
Meshkujt
16 Tetor
17:00 Vllaznia - Sigal Prishtina
20:00 Teuta - Golden Eagle Ylli
17 Tetor
20:00 Finalja