Bashkimi është kualifikuar në gjysmëfinale të Reload Superkupës së Kosovës në basketboll, pasi në çerekfinale ka mundur Pejën me rezultat 79:105 (21:21, 27:22, 14:23, 17:39). Në gjysmëfinale do të kemi një përballje prizrenase, pasi Ponte Prizreni më herët ka eleminuar Golden Eagle Yllin.
Ndeshja nisi e baraspeshuar në çerekun e parë, ku asnjëra skuadër nuk arriti të shkëputej, kështu që kjo pjesë përfundon 21:21. Por, në periudhën e dytë pejanët ishin më të mirë, duke e fituar këtë pjesë 27:22 për të shkuar në pushim me rezultat 48:43.
Rikthimi i Bashkimit ndodhi në pjesën e dytë. Prizrenasit fituan periodën e tretë 14:23, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 62:66. Në 10 minutat e fundit dominuan basketbollistët e Bashkimit dhe fituan 17:39 për të triumfuar në fund 79:105 dhe u kualifikuan në gjysmëfinale.
Te Peja u dalluan Drilon Hajrizi me 22 pikë e 14 kërcime dhe Robert Cartwgright me 24 pikë e tetë asistime, kurse te Bashkimi u dalluan Nikola Vukçeviq me 34 pikë e katër asistime dhe Shaq Carter me 26 pikë e 14 kërcime.