Prishtina mbetet e pamposhtur, triumfon në derbi

Prishtina mbetet e pamposhtur, triumfon në derbi

20/02/2022

Prishtina ka shënuar fitore ndaj Penzës në udhëtim me rezultat 82:87 (20:22, 22:21, 21:23, 19:21), në xhiron e 15-të të Superligës së Femrave.

Çereku i parë ishte i baraspeshuar, ku epërsinë më të lartë e kishin prishtinaset, gjashtë pikë, 12:18 dhe 16:22, megjithatë, katër pikë në fund nga pejanet bënë që kjo pjesë të përfundojë 20:22. Edhe periudha e dytë u karakterizua si shumë e baraspeshuar, pa arritur shkëputjen e madhe asnjëra skuadër, ndërsa shkuan në pushim me shifrat 42:43.

Bardhekaltret e nisën më mirë periodën e tretë, duke pasur epërsi në nëntë pikë, 49:58, megjithatë, vendaset rikthehen shpejt për të barazuar shifrat në 58:58, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 63:66. Por, në dhjetë minutat e fundit dhe vendimtare, skuadra e Prishtinës ishte në epërsi konstante për të mos e rrezikuar fitoren dhe duke triumfuar me shifrat 82:87, çka ishte fitorja e 15-të në po aq ndeshje të zhvilluara, kurse pejanet kanë 11 fitore e katër humbje.

Te Penza u dalluan Valbona Bytyqi me 23 pikë e 11 kërcime, Rael Whitsitt me 13 pikë e 13 kërcime, Jeta Zeka me 16 pikë dhe Narlyn Mosquera me 18 pikë e nëntë kërcime, kurse te Prishtina u dalluan Arbnore Përquku me 23 pikë, nëntë kërcime e dhjetë asistime dhe Agnesa Rrahmani me 26 pikë e shtatë kërcime.

Ndërkohë, në ndeshjet tjera, Bashkimi ka shënuar fitore ndaj Trepçës me rezultat 71:47 (15:5, 21:7, 22:18, 13:17), ku prizrenaset ishin më të mira nga fillimi deri në fund për të shënuar fitore të merituar. Te skuadra prizrenase u dallua D’asia Chambers me 18 pikë e tetë kërcime, kurse te ajo mitrovicase Kelly Santos me dhjetë pikë e dhjetë kërcime. Bashkimi ka dhjetë fitore e pesë humbje, ndërkohë, Trepça ka pesë fitore e dhjetë humbje.

Vëllaznimi ka mundur Kastriotin me shifrat 117:53 (23:16, 27:3, 38:15, 29:19). Te skuadra kuqezi u dallua kapitenia Rina Hoda me 25 pikë, tetë kërcime, 20 asistime dhe 12 topa të vjedhur, ndërsa te skuadra ferizajase u dallua Anita Grainca me 29 pikë e 22 kërcime. Vëllaznimi ka katër fitore e 11 humbje, ndërsa Kastrioti numëron 15 humbje në 15 ndeshje.  

 

Strategic Partners

General Sponsors

General Sponsor of the Men’s Superleague
Sponsor of the Kosovo National Teams

Media Partners

Federation Sponsors

Official Technical Partner

Official Partners