Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA) kanë organizuar Seminarin për Zhvillimin dhe Fuqizimin e Klubeve të FBK-së.
Kjo ishte hera e parë që FIBA e organizon një Seminar për Klube në bashkëpunim me një Federatë Nacionale, e në këtë rast me atë të Kosovës.
Qëllimi i organizimit të këtij Seminari ishte zhvillimi dhe fuqizimi i klubeve të basketbollit.
Fuqizimi i Klubeve të FBK-së është një nga pesë qëllimet e FBK-së në Planin Strategjik 2021-2025, të cilin Federata e Basketbollit të Kosovës e ka hartuar në bashkëpunim me FIBA-n dhe ekspertët e jashtëm të angazhuar nga institucioni më i lartë i basketbollit në botë.
Ligjërues në Seminarin ishin ekspertë të angazhuar nga FIBA: Geoff Wilson, Maeve Buckley dhe Gustavo Arellano.
Temat për të cilat ata/o ligjëruan ishin:
Menaxhimi i brendit dhe angazhimi digjital me tifozë.
Veprimet në ditën e ndeshjes dhe angazhimi me tifozë në ditën e ndeshjes.
Sponsorizimi dhe investimet nga sektori publik.
Krahas ligjëruesve në Seminar dhe në një vizitë pesë ditore në Kosovë do të qëndrojnë edhe Radmila Turner, Përgjegjëse për Federatat Nacionale në FIBA Europe dhe Florian Pasquet, Përgjegjës për Federatat Nacionale në FIBA Bota, të cilët do të jenë në rolin e monitoruesve në Seminarin për Klube dhe njëkohësisht do të zhvillojnë takime me krerët e FBK-së, dhe me stafin e zyrës ekzekutive të FBK-së për të diskutuar për punën që është bërë në vitin e parë të implementimit të Planit Strategjik të FBK-së 2021-2025.
Zyrtarët e FIBA-s do të jenë të pranishëm edhe në ndeshjen Kosovë – Norvegji që do të zhvillohet më 27 shkurt në ora 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë në kuadër të parakualifikimeve për FIBA Eurobasket 2025.