Të shtunën është mbajtur Kuvendi i Punës së Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), ku të gjitha pikat e rendit të ditës janë miratuar njëzëri, ndër të tjera edhe Ndryshimet Statutare, me përfshirjen e Personit për Integritet në FBK dhe në Statut.
Bordi i FBK-së ka emëruar në këtë pozitë ish-basketbollisten e njohur dhe kryetaren e KBF Prishtinës, Vlora Brahën, me mandat dy vjeçar me kërkesë nga FIBA, që gjë është miratuar nga Kuvendi i Punës. Në këtë Kuvend morën pjesë 26 nga 39 delegatë.
Personi kontaktues për integritet (SPOC) i një organizate sportive duhet të jetë një individ me pozitë zyrtare (i emëruar zyrtarisht si SPOC i organizatës) brenda organizatës përkatëse. Megjithatë, kur SPOC-u trajton një sërë aktivitetesh që shkojnë përtej përgjegjësive bazë të përshkruara në udhëzime, këto aktivitete mund të mbështeten/ndahen me anëtarë të tjerë të organizatës që merren me çështjet e integritetit. SPOC-u gjithashtu mund të jetë drejtues ose anëtar i ndonjë Njësie për Integritet.
Detyra kryesore e SPOC-ut është të jetë ndërmjetësuesi kryesor për çështjet e integritetit në mes të organizatës dhe anëtarëve të saj, si dhe me akterët e jashtëm. SPOC-u mund të merr edhe detyra tjera shtesë, nëse organizata e sheh si të nevojshme këtë.
Përgjegjësia e SPOC-ut është të merret me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me manipulimin e garave, si dhe me integritetin e organizatës. Çështjet e tjera që kanë të bëjnë me integritet mund të jenë gjithashtu pjesë e portofolios së SPOC-ut. Edhe sipas Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), puna e personave kontaktues për integritet përqendrohet kryesisht në parandalimin e manipulimit të garave.