Java e 27-të e Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll do të sjellë disa ndeshje mjaft interesante, ndërsa derbi zhvillohet mes rivalëve të vjetër, Sigal Prishtinës dhe Trepçës.
Takimi i parë zhvillohet ndërmjet Pejës dhe Dritës. Pejanët janë favoritë, pasi kanë 17 fitore dhe nëntë humbje, ndërsa gjilanasit kanë 26 humbje, në po aq takime, duke qenë skuadra e vetme pa fitore në elitë.
Ndeshja e dytë zhvillohet mes rivalëve lokal, Prizreni 16 dhe Bashkimi. Basketbollistët e Prizrenit 16 ka 15 fitore dhe 11 humbje, ndërsa Portokallezinjtë kanë dhjetë fitore e 16 humbje, duke u renditur në vendin e shtatë dhe kërkon të hyjë në zonën e “Play-off”-it, pasi kanë një pikë më pak se Rahoveci.
Të dielën do të zhvillohet derbi i rivalëve të vjetër të basketbollit të Kosovës, Sigal Prishtinës dhe Trepçës. Prishtinasit kanë 13 fitore e 13 humbje, kurse mitrovicasit kanë 18 fitore e tetë humbje. Sfidat mes këtyre dy skuadrave kanë qenë gjithmonë interesante dhe kështu pritet edhe në këtë përballje.
Sfida e fundit zhvillohet ndërmjet Rahovecit dhe Golden Eagle Yllit. Vreshtarët kanë 11 fitore e 15 humbje, kurse therandasit kanë 20 fitore e gjashtë humbje. Rahovecasit ndodhen në vendin e gjashtë, kurse kampionët në vendin e parë.
Art Motion Superliga – Java 27
E premte
17:00 Peja - Drita
E shtunë
20:30 Bashkimi - Prizreni 16
E diel
17:00 Sigal Prishtina - Trepça
20:30 Rahoveci - Golden Eagle Ylli