Prizreni 16 ka shënuar fitore në ndeshjen e parë çerekfinale të “Play-off” ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 95:87 (29:25, 18:20, 27:28, 21:14). Ndeshja e dytë zhvillohet në kryeqytet, ndërsa skuadra që shënon dy fitore, kualifikohet në gjysmëfinale.
Pas një fillimi të barabartë, vendasit për një nuancë ishin më të mirë, duke pasur epërsi konstante, ku çerekun e parë e fituan me rezultat 29:25. Lojë shumë interesante u zhvillua edhe në periudhën e dytë, me shumë rikthime dhe lojë atraktive. Kjo pjesë u karakterizua me epërsinë e herë njërës skuadër, e herë tjetrës dhe me shumë barazime, kurse pjesa e parë përfundoi me shifrat 47:45.
Lojë e ngjashme u zhvillua edhe në periudhën e tretë, ku pas rezultatit 50:50, vendasit me një seri prej 9:0 u shkëputën në 59:50, por prishtinasit nuk u dorëzuan, duke e përmbysur rezultatin në 64:70, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 74:73. Por, në dhjetë minutat e fundit dhe vendimtare, prizrenasit ishin më të mirë, duke u shkëputur në 23 pikë, 92:79 dhe arritën të menaxhojnë epërsinë, duke triumfuar në fund 95:87.
Te Prizreni 16 u dalluan Arti Hajdari me 35 pikë, Urim Zenelaj me 12 pikë e tetë kërcime dhe Darell Davis me 18 pikë e gjashtë asistime, kurse te Sigal Prishtina u dalluan Devin Thomas me nëntë pikë e 17 kërcime, Jetmir Zeqiri me 23 pikë dhe Jan Palokaj me 20.