Federata e Basketbollit e Kosovës dhe kompania Piar Creations kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit dhe partneritetit. Synimi i kësaj marrëveshje është që të ngritet niveli i kreativitetit në të gjitha mediat sociale të FBK-së, duke përfshirë edhe ato të Ligës Unike, si projekt me rëndësi i veçantë i Federatës.
Marrëveshjen e kanë nënshkruar Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku dhe Dardan Hasku, Drejtor Ekzekutiv i Piar Creations.
“Jemi të lumtur për marrëveshjen e arritur. Ne synojmë që të ngritim kreativitetin në rrjetet sociale të jemi model për të tjerët. Rrjetet sociale të FBK-së janë shumë aktive, ku i servojmë publikut, lajmet, fotografitë e videot e ngjarjeve, ndërsa tash synojmë të rritim edhe kreativitetin, por edhe numrin e ndjekësve në rrjetet sociale. Besoj se mund të kemi një bashkëpunim shumë të mirë mes palëve”, ka thënë Dushku pas nënshkrimit të marrëveshjes.
I lumtur për marrëveshjen ishte edhe Drejtori Ekzekutiv i Piar Creations, Dardan Hasku.
“Ne e kemi parë një potencial të jashtëzakonshëm për të zhvilluar marketingun digjital të organizatave dhe klubeve sportive kosovare, andaj ky bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës është një mundësi e jashtëzakonshme për të dëshmuar aftësitë tona dhe për t’u siguruar se basketbolli do vazhdojë të jetë sporti dominues në Kosovë”, ka thënë Hasku.