Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 73:48 (17:12, 24:15, 21:13, 11:8).
Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, me një epërsi prej 11:4 dhe gjatë gjithë çerekut të parë ishin në epërsi, duke e fituar këtë pjesë 17:12. Edhe në periudhën e dytë ishin në epërsi konstante, ku në fund të pjesës së parë thelluan epërsinë, duke shkuar në pushim mes pjesëve me rezultat 41:27.
Kampionët nuk u ndalën as në periudhën e tretë, ku thelluan edhe më shumë epërsinë, kurse prishtinasit nuk kishin kundërpërgjigje për lojën e tyre. Therandasit vazhduan me sulme efikase dhe mbrojtje të fortë, ndërsa shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 62:40. Në dhjetë minutat e fundit u shënuan shumë pak pikë, 19, nga të dyja skuadrat, por kjo mjaftoi që Ylli të triumfojë 73:48, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të “Play-off”-it. Ndeshja e ardhshme sërish zhvillohet në Therandë, kurse në finale kualifikohet skuadra që shënon tri fitore.
Te Ylli u dalluan Henrik Sirko me 17 pikë, shtatë kërcime dhe gjashtë asistime dhe Mikaile Tmusiq me 19 pikë, kurse te Sigal Prishtina u dallua Biram Faye me 11 pikë e 12 kërcime.