Të shtunën zhvillohet Final 4 i JR NBA Kosovës, ku do të përcaktohet se, kush do të jetë kampion i kësaj lige.
Ky është edicioni i parë dhe historik i kësaj lige.
Fillimisht ishte Dita e Draftit, ku 30 Shkolla Fillore janë ndarë në gjashtë Divizione, përkatësisht dy Konferenca, Lindore dhe Perëndimore. Hedhja e shortit u bë me ceremoni zyrtare, ku hapjen e bëri kryetari Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ndërsa të pranishëm ishin edhe dy përfaqësuesit e NBA Junior, Jiri Welsch, ambasador i JR NBA dhe Adrian Carrion, Përgjegjës i JR NBA Kosovës.
Welsch dhe Carrion, gjithashtu kishin mbajtur një stërvitje me fëmijët e Kosovës, pasi më herët kishin vizituar FBK-në.
Pas hedhjes së shortit, filloi Liga JR NBA Kosovës, me xhiron e parë. Në këtë ligë garojnë fëmijët e moshës 11-13 vjeç, djem dhe vajza së bashku me një ekip, ndërsa Shkollat Fillore janë nga e gjithë Kosova.
Xhiro pas xhiro, u përcaktuan edhe tetë skuadrat më të mira të Konferencës Lindore dhe Perëndimore, që i zhvilluan ndeshjet çerekfinale, e më pas gjysmëfinale, në Vushtrri dhe Istog.
Tashmë janë përcaktuar katër skuadrat më të mira të kësaj lige, që do të garojnë për titullin e kampionit.
Final 4 zhvillohet në palestrën “Don Bosko”.