Të shtunën në palestrën “Don Bosko” është mbajtur Final 4 i JR NBA Kosovës, ku janë zhvilluar ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja e madhe.
Ky ishte edicioni i parë dhe historik i kësaj gare, që u organizua nga Federata e Basketbollit e Kosovës, një projekt madhor për zhvillimin e talenteve të basketbollit dhe duke ju bashkuar shumë shteteve që e kanë këtë ligë.
Në fillim ishin 30 Shkolla Fillore të moshës 11-13 vjeç, djem dhe vajza në një ekip, ku janë ndarë në dy Konferenca, Lindore dhe Perëndimore, apo gjashtë Divizione. Më pas tetë më të mirat e secilës konferencë luajtën në çerekfinale e gjysmëfinale, për të dhuruar katër skuadrat më të mira.
Në gjysmëfinalen e parë, Indiana Peacers (Hasan Prishtina-Prishtinë) e ka mundur Atlanta Hawks (SHMU 2 Vushtrri) me rezultat 46:25. Lojë më e barabartë dhe interesante u zhvillua gjysmëfinalja e dytë, ku Golden State Warriors (Emin Duraku-Prizren) shënoi fitore kundër San Antonio Spurs (Emin Duraku-Kaçanik) me rezultat 32:29.
Në finale Indiana Peacers ka shënuar fitore ndaj Golden State 53:34, ku pothuajse gjatë gjithë kohës ishte duke udhëhequr.
Skuadrat humbëse të gjysmëfinaleve janë stolisur me medaljet e bronzta, vendit të dytë i kanë takuar medaljet e argjendta, kurse vendit të parë, unazat e kampionit. Medaljet të ekipeve finaliste i kanë ndarë Fikret Shatri, U.D. i Drejtorit të Departamentit të Sportit të Kosovës dhe Faton Kurshumlija, Komesar i Garave të FBK-së. Kupën e ka ndarë Arben Krasniqi, Drejtor Teknik në FBK.