Njëra nga basketbollistet më të mira të Kosovës padyshim është Saranda Daci. Basketbollistja pejane ka fituar shumë trofe me Penzën, Prishtinën dhe Bashkimin, ndërsa ka luajtur edhe në Republikën e Çekisë. Daci bëri një hap para në karrierën e saj, duke kaluar në skuadrën Bursaspor në Superligën e Turqisë. Në një intervistë për faqen zyrtare të FBK-së, Saranda ka folur për përvojën në Turqi, të ardhmen e saj, turneun me Kosovën në 3x3, ku ajo do të jetë pjesëmarrëse, si dhe për Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla, ku Dardanet sërish do të jenë pjesëmarrëse në Qipro.
Si ka qenë ky edicion në Turqi për ty?
Daci: Ishte një nga edicionet më speciale për mua, për faktin që luajta në një ndër ligat më të forta në botë, megjithatë, më e mira ishte që me skuadër arritëm të hyjmë në “play-off” të Ligës dhe arritëm deri në kualifikimet për Kupën e Italisë.
Si ishte kjo përvojë personalisht për ty?
Daci: Një ndjenjë e veçantë dhe e paharruar me plot suksese, ku luajta me shumë yje ndërkombëtare, por edhe nga liga më e fortë në botë, WNBA.
Sa je e kënaqur me paraqitjet tua dhe çfarë do të thotë të luash në një ligë evropiane, siç është ajo e Turqisë?
Daci: Në pozitën time ishin tri përforcime, që kishin përvojë më të madhe se unë, duke luajtur me kombëtaret e tyre në garat ndërkombëtare, megjithatë, kam këmbëngulur shumë për arritur të kem një mesatare prej dhjetë minutave për ndeshje, edhe pse kisha pritshmëri më të mëdha. Jam mese e kënaqur, ku jam e bindur që e ngrita veten time në nivel më të larta.
Pas përvojës në Turqi, cila do të jetë e ardhmja juaj?
Daci: Jam në kontakt me agjentin tim dhe shpresoj që në një ekip evropian do të jem sërish.
Çka pret me paraqitjet e Kosovës në turneun 3x3?
Daci: Çdo herë me ekipin kombëtar jam optimiste për suksese pozitive, edhe pse nuk jemi duke zhvilluar ende stërvitje të gjitha së bashku, shpresoj që në një të ardhme të afërt të kemi një ekip më profesionist, pse jo edhe të fitojmë trofe.
Gjithashtu Kosova do të marrë pjesë sërish në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla. Çka do të thotë për ty të luash për Kosovën dhe çka pret në këtë Kampionat, pasi herën e fundit fituam medaljen e bronztë?
Daci: Jam shumë optimiste tek pjesa e kombëtareve. Pasi kemi fituar medaljen e bronztë, dëshira ime, besoj që edhe të gjitha vashave, është të fitojmë trofeun e çmuar e këtij kampionati. Shpresoj shumë që ta përmbyll karrierën time me një trofe nga kombëtarja e Kosovës. Do të ishte dëshira dhe ëndrra ime që të përfundoja karrierën në mënyrën më të mirën të mundshme.
#intervista #FBK #fbkkosova