Kampionia e shumëfishtë e Kosovës, Sigal Prishtina do të marrë pjesë në Ligën ENBL.
Lajmi është konfirmuar nga vetë liga me një shkrim në uebsajtin e saj zyrtar. Gjithsesi Prishtina do të jetë pjesëmarrëse e kësaj lige, nëse nuk arrin që të hyjë në grupet e FIBA Europe Cup.
Bardhekaltrit do të përballen me fituesin e çiftit çerekfinal ndërmjet Kalev/Cramo dhe Cedevita Junior më 28 shtator, në Jonava të Lituanisë, kurse në finale mund të përballet me Kapfenberg Bulls, Cbet Jonava ose SCMU Craiova.
Tutje tregohet për historinë e klubit prishtinas, që u themelua në vitin 1970, por ka një histori të pasur, duke fituar 13 herë titullin në Kosovë, 15 herë Kupën dhe katër herë Superkupën. Kryeqytetasit kanë fituar dy herë Ligën Ballkanike, ndërsa më 2015 morën pjesë për herë të parë në FIBA Europe Cup, kurse suksesin më të madh e regjistruan në edicionin 2018-2019 kur hynë në top 16.
Trajner i klubit është Ekrem Memnun, që u rikthye pas 17 vjetësh.
ENBL është themeluar në verën e vitit 2021 për klubet profesionistë të meshkujve nga Evropa Veriore, Qendrore dhe Lindore. Është krijuar për klubet që dëshirojnë të konkurrojnë ndërkombëtarisht në një nivel të lartë. Edicioni i parë përfshin skuadra nga Polonia, Republika Çeke, Lituania, Letonia, Estonia, Bjellorusia dhe Rusia.